Lajme

Kurti në takim me komisionarin Didier Reynders: Sundimi i ligjit kusht themelor për shoqërinë demokratike


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Komisionarin Evropian për Drejtësi, Didier Reynders, të cilin e ka njoftuar për planet e Qeverisë, për reformë në drejtësi siç është procesi i Vettingut.

Kurti, përmes një shkrimi në Twitter, ka theksuar se “sundimi i ligjit është një kusht themelor për shoqërinë demokratike”.

“Me Komisionarin për Drejtësi, Didier Reynders, diskutuam gjerësisht planet tona për forcimin e institucioneve të drejtësisë, përfshirë procesin e Vettingut. Ne e mirëpresim mbështetjen e tij për agjendën tonë të reformave”, ka shkruar Kurti.

Në takim ishin edhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Kryeministri Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, të enjten do të takohet edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Jens Stoltenberg.

“Të Enjten, 29 Prill 2021, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Jens Stoltenberg, do të takohet me Z. Albin Kurti nga Kosova në Selinë e NATO-s”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të NATO-s.

Ndërkohë, Kurti gjatë të mërkurës së 28 prillit, ka zhvilluar takimin e tij me kryeministrin e Belgjikës, Alexander Decroo.

Përmes postimit të ti në Twitter, Kurti ka treguar se bashkë me De Croo, kanë biseduar lidhur me angazhimin e Kosovës për të qenë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian dhe prioritetet e Kosovës në drejtësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore