Lajme

Kurti kërkon drejtësi për viktimat e luftës: Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale


Albin Kurti/Foto: Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se Serbia duhet që të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, pasi ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore në lagjen “Dardania” në Pejë.

“Bashkë me kolegët nga Kuvendi i Kosovës, me aktivistë të lëvizjes sonë, këtu në Pejë bëmë homazhe te lapidari, duke u përulur dhe duke përkujtuar 40 të vrarët gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe në lagjen ‘Dardania'”, tha ai, transmeton “Ekonomia Online”.

Ai theksoi se drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjate dhe për siguri për të gjithë e për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe normale, ndërsa shtoi se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë.

“Prokuroria e Kosovës dhe Specialja duhet të punojnë ditë e natë, që përgjegjësit të identifikohen dhe të nxirren para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat, kur dihet që viktima nuk janë vetëm të vrarët, por edhe familjet e tyre dhe mbarë shoqëria jonë”, tha Kurti pas homazheve.

Edhe pse kanë kaluar 24 vite nga masakra në Pejë, familjarët pohojnë se dhembja ndaj më të dashurve të tyre për asnjë moment nuk shuhet, kurse më të pikëlluarit janë ata familjarë, anëtarët e të cilëve akoma evidentohen si të zhdukur.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë në vitet 1998-99, janë vrarë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave nuk dihet ende asgjë  – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore