Shqipëria

Kultivonin lëndë narkotike, arrestohet 26-vjeçari, në kërkim i vëllai


Policia e Korçës, mëngjesin e 4 shtatorit, ka arrestuar një shtetas për armëmbajtje pa leje dhe kultivim të bimëve narkotike. Ndërsa është shpallur në kërkim i vëllai.

Përkatësisht është arrestuar në flagrancë shtetasi R. M., 26 vjeç, banues në Maliq, ndërsa i vëllai D. M., 21 vjeç, është në kërkim nga policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e vëllezërve dhe ambientet përreth saj, policia gjeti një sasi me municione luftarake, dy krëhëra dhe dy bajoneta armë zjarri.

Këto të fundit u sekuestruan nga policia në cilësinë e provës. Gjithashtu u konstatuan edhe disa fidanë të dyshuar kanabis.

Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore