Lajme

Kryetari i ri i Prishtinës i sfiduar nga buxheti për realizimin e planprogramit


Kryetari i ri i komunës së Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Në plan-programin e kryetarit të ri të Prishtinës, Përparim Ramës, për katër vitet e ardhshme figuron ndërtimi i rrugëve, objekteve shkollore, çerdheve, qendrave të mjekësisë familjare, galerisë së qytetit, strehimoreve për qentë endacakë e projekte të tjera.

Por, për realizimin e të gjitha këtyre projekteve nga buxheti i planifikuar i Komunës së Prishtinës për vitin 2021 janë të ndara vetëm 85 mijë e 712 e 836 euro.

Përfaqësues të organizatave që merren me politika lokale, po e shohin planprogramin e Ramës, si vështirë të realizueshëm për një mandat katër vjeçar.

Por, që përmes granteve, kredive të buta ose donacione nga mekanizmat fiannciarë ndërkombëtarë, një pjesë e tjerë edhe mund të realizohen.

Qëndrim Arifi, hulumtues i Organizatës Iniciativa për Progres në Kosovë konsideron që realizimi i planprogramit të Ramës kërkon angazhim të jashtëzakonshëm.

“Programi i z.Rama është program ambicioz dhe përtej kapaciteteve buxhetore të komunës së Prishtinës. Mendoj që është i realizueshëm, mirëpo kërkon angazhim të jashtëzakonshëm dhe kjo mbetet të shihet pasi z.Rama ta filloj zyrtarisht punën”, thotë Arifi për Albanian Post.

Por, që sipas tij edhe vetë kryetari i ri Rama e ka bërë të ditur që një pjesë e fondeve do të sigurohen nga donator të ndryshëm ndërkombëtar.

“Thamë që premtimet e z. Rama janë përtej kapaciteteve buxhetore të komunës, mirëpo edhe nga z. Rama është thënë që një pjesë e fondeve do të sigurohen nga donator të ndryshëm ndërkombëtar dhe nëpërmjet marrjes së kredive në institucione financiar ndërkombëtare të ashtuquajtura “kredi të buta” ”.

Prishtina

Por, edhe kjo sipas tij, “kërkon angazhim të jashtëzakonshëm sepse edhe marrja e donacioneve e edhe e kredive kërkon jashtëzakonisht angazhim të madh si dhe merr kohë të gjatë”.

Sa i përket realizimit të projekteve të Ramës, për nga niveli qendror ai konsideron se komunat kanë autonomi të qeverisjes, mirëpo që mund të shfaqen edhe pengesa.

“Është fakt i pa kontestueshëm që një bashkëpunim në mes të nivelit qendror dhe lokal do të sillte rezultate më të shpejta, mirëpo pengimi i realizimit të projekteve nuk mund të ndodh, kuptohet nëse projektet e caktuara nuk janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, sqaroi Arifi.

Sadri Rrmokun, nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, sqaron për Albanian Post se si mund të realizohen një numër kaq i madh i projekteve brenda një mandati katër vjeçar.

“Në program dallojmë dy lloje të projekteve: të parat, ekskluzivisht përgjegjësi e komunës dhe e dyta, komunale dhe qeveritare, siç është unaza e jashtme dhe spitali i kryeqytetit. Për dallim nga komunat tjera, Prishtina ka përparësitë e saj, ashtu sikurse edhe problemet”, deklaron Rrmoku për AP.

Ai thekson se përparësitë kanë të bëjnë në bazë të mundësive që ju ofrohen.

“Përparësitë, kanë të bëjnë me mundësitë buxhetore, potencialin për partneritet publiko-privat, kapacitetin më të konsoliduar administrativ dhe projektues”.

Përparim Rama gjatë votimit në zgjedhjet lokale.

Sa i përket programit politik të kandidatit fitues, ai thotë se kur bëhet fjalë për kryeqytetin e Kosovës, sigurisht që duhet të jetë një planprogram i veçantë.

“Programi politik i kandidatit fitues, duket të jetë ambicioz, megjithatë edhe vetë trajtimi i Prishtinës si kryeqytet është i veçantë, duke përfshirë edhe potencialin buxhetor krahasuar me komunat tjera. Ligji për Prishtinën, ofron mbështetje shtesë dhe kompetenca të veçanta”.

Kurse, potencoi se ky ligj parasheh edhe bashkëpunim me autoritetet qendrore.

“Njëkohësisht, ky ligj parasheh edhe bashkëpunimin e kryeqytetit me autoritetet qendrore, për shkak të specifikave dhe veçantive si kryeqendër administrative, diplomatike dhe ngjarjeve publike shtetërore që ndodhin në Prishtinë”.

Ndërkaq, “mangësi mbeten procedurat shpesh të stërzgjatura të prokurimit, procedurat të stërzgjatura për qasje në kredi dhe partneritetet publiko-private, dhe një pengesë tejet e madhe ka të bëjë me procedurat dhe vlerat e shpronësimit në projekte”.

Cili është plani i Ramës për Prishtinën?

Për kryetarin e ri të Prishtinës, Përparim Rama, një ndër projektet kryesore është “ridefinimi i qendrës së qytetit”.

Ai ka paraparë që qendrën e Prishtinës ta bëjë gjithë hapësirë brenda unazës së brendshme të qytetit.

“Kjo qendër e re do ta ndryshojë hierarkinë e lëvizjes në trafik: këmbësori do të jetë i pari, transporti publik dhe ai alternativ i dyti, kurse veturat të tretat”, thuhet në programin e Ramës.

Ndërkaq, për asfaltin ka premtuar se do të shndërrohet në gjelbërim, në kalldrëme, e në materiale që njihen si të këmbësorëve.

Edhe për problemin e parkingut të veturave, Rama ka premtuar se do ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë.

Vetëm në lagjen Ulpiana ai ka premtuar ndërtimin e 430 vend-parkimeve.

Por, përveç kësaj ai ka premtuar se do t’i ndërtojë vend-parkingjet në gjashtë pikat kryesore rreth unazës së brendshme të Prishtinës, në të cilat distanca do të jetë rreth 500 metra nga secila pikë e qendrës.

Për sektorin e shëndetësisë, ai premtoi kompletimin e rrjetit të Qendrave të Mjekësisë Familjare në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, sipas standardit një Qendër e Mjekësisë Familjare për 10 mijë banorë.

Prioritet kryesor e ka edhe sigurinë në trafik, që lidhet ngushtë me sigurinë e fëmijëve në rrugë.

Prishtina.

Brenda këtij mandati ai synon që të rritë nivelin e hapësirave të gjelbërta, duke e lansuar një program masiv që do të ketë për synim krijimin e 250 hekterëve të hapësirave të gjelbërta dhe mbjelljen e 800 mijë drunjve fidanor.

Në këtë program Rama, pohoi se mungojnë shtatë objekte shkollore të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët në Prishtinë.

Këto objekte, Rama ka premtuar se do të ndërtohen në lagjet Sofali, Kodrina, Qëndresa, Përroi i Njelmët, Kalabria, Kodra e Trimave dhe në lagjen Prishtina e Re – Qendër.

Po ashtu, Rama ka premtuar se do të ndërtojnë shkollën profesionale të ulët dhe të mesme të muzikës dhe baletit “Prenk Jakova”, si dhe Gjimnazin “Ahmet Gashi”.

Për problemin e qenve endacakë, Rama ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje.

Në balotazhin e mbajtur të dielën e 14 nëntorit, kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama fitoi komunën e Prishtinës në garë me kundërkandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia.

Sipas rezultateve zyrtare të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Përparim Rama nga LDK-ja ka marrë 51,07 për qind ose 40 mijë e 659 vota.

Ndërsa, Arben Vitia nga LVV ka 48,93 për qind ose 38 mijë e 958 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore