Lajme

Krasniqi kritikon Qeverinë për menaxhimin e pandemisë: Ndryshoni qasje


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kërkuar të ndryshohet qasja në menaxhimin e pandemisë.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria po rrinë në distancë.

“Nëse nuk ndryshohet qasja aktuale e menaxhimit të pandemisë, pasojat do të jenë edhe më të rënda nga ato që sot qytetarët po i përjetojnë, ekonomia po i ndjen dhe profesionistët shëndetësorë po i vuajnë, për shkak të qëndrimit në distancë të Qeverisë”, ka shkruar Krasniqi.

Ky reagim i Krasniqit, vije pas publikimit të matjeve të Universitetit “Johns Hopkins”, ku shteti i Kosovës ka më së shumti të vdekur me virusin COVID-19 krahasuar me të gjitha shtetet e botës.

Ai ka kritikuar masat e fundit të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

“Andaj, qeveria duhet të reagojë urgjentisht! Jo vetëm me masa arbitrare, por edhe me plan konkret për zvogëlimin dhe evitimin e dëmeve që sjellin këto masa në shumë sektorë”.

“Mbi të gjitha, duke siguruar vaksina të mjaftueshme në vazhdimësi, si dhe duke rritur kapacitetet dhe numrin e qendrave te vaksinimit, ashtu që qytetarët të mund të vaksinohen me kohë dhe pa pritje të gjata kohore, sikur po ndodh tash”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se pandemia nuk duhet të jetë një “çështje e luftës së brendshme politike, por front i përbashkët në interes të qytetarëve”.

Ai ka këshilluar qytetarët që të vazhdojnë të mbajnë distancë me njëri-tjetrin, si masë mbrojtëse nga COVID-19. Ndonëse ka një kritike për qeverinë “por, është po aq e vlefshme që Qeveria të mos mbajë distancë me qytetarin, siç ka bërë deri tash”.

Edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë ditës së shtunë përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se numri i madh i viktimave nga COVID-19, tregon shifra lufte.

“Numri i viktimave ende po diskutohet si handikap për VV për zgjedhje lokale, por ky numër nuk është çështje fushate më, pasi ky është bilanc lufte”, tha Ahmeti.

Në Kosovë gjatë ditës së shtunë janë shënuar 18 vdekje, ndërsa 1 mijë 891 persona janë infektuar me COVID-19.

Sipas raportit ditor, numri i përgjithshëm i pacientëve me Coronavirus, të shtrirë në QKUK, është 1 mijë e 051.

Prej tyre, 952 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi dhe 55 janë në gjendje të rënduar shëndetësore, thuhet në raport.

Ndërsa 1 mijë e 165 pacientë të shtrirë në klinikat COVID dhe spitale, prej tyre 944 me oksigjeno-terapi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore