Lajme

Kosovë: Votohet në parim projektligji për Gjykatën Komerciale


Ilustrimi i fotografise

Me 66 vota për, asnjë kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim të premten projekt-ligjin për Gjykatën Komerciale.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka qenë e autorizuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për ta paraqitur këtë projektligj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Ky projekt ligj është i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe tutje që nga viti 2012 ka qenë simbol i reformimit të gjyqësorit, kur ndër të tjerash gjykata ekonomike është shndërruar në Departamentin për Çështje Ekonomike brenda Gjykatës Themelore”, ka thënë Hajdari në shpalosjen e projektligjit.

Hajdari ka bërë të ditur se Gjykata Komerciale do të ketë dy nivele.

“Gjykata Komerciale do të funksionojë në dy nivele, atë Themelore dhe të Apelit me qëllim të zgjidhjes së kontesteve komerciale, por edhe atyre administrative që ndërlidhen me çështjet komerciale”, ka thënë ajo.

“Gjykata do të udhëhiqet nga një kryetar i vetëm, i cili do të shërbejë edhe si gjyqtarë në panelin e Apelit”.

Sipas saj “kryetari do të ketë rol menaxherial, por edhe do të kryejë punë të gjyqtarit”.

50 mijë euro janë parashikuar për revizionin e Gjykatës Komerciale.

“Gjykata Komerciale ka paraparë shumën për revizion në vlerë prej 50 mijë euro. Përderisa një çështje e tillë në rrethe të caktuara është kritikuar. Vlen të përmendet që ekonomia kosovare bazohet në biznese mikro; të vogla dhe të mesme”, ka thënë ajo.

Vlera e revizionit sipas saj nuk duhet të jetë përtej shumës së paraparë me projektligj.

“Marrë parasysh këtë, vlera e revizionit nuk mund të caktohej përtej shumës së paraparë me këtë projektligj, e me qëllim të ushtrimit të të drejtave në mënyrë të barabarta për të gjithë”.

Ajo ka thënë se “Gjykata Komerciale do të trajtojë të gjitha çështjet komerciale”.

Ndërsa, në muajin qershor të këtij viti kabineti qeveritare kishte miratuar Projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se trajtimi i lëndëve komerciale ka dëmtuar ambientin e të bërit biznes, pasi ka zgjatur me vite të tëra dhe ka lindur ideja për këtë që të formohet një gjykatë e tillë.

“Duke pasur parasysh ngarkesat e Gjykatave Themelore në zgjidhjen e kontesteve të natyrave të ndryshme, përfshirë edhe natyrën komerciale, e cila vazhdon të zgjasë me vite të tëra, ka lindur nevoja për themelimin e një mekanizmi juridik, i cili përshpejton shqyrtimin dhe trajtimin e lëndëve komerciale. Stërgjatja e trajtimit të lëndëve komerciale ka cenuar sigurinë juridike dhe ka dëmtuar ambientin e të bërit biznes, si dhe i ka dekujaruar investimet në Kosovë”, kishte deklaruar Haxhiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore