Kosova

Kosovë, miratohet Projektligji për Gjykatën Komerciale


Kabineti Qeveritar i Kosovës, në mbledhjen e së martës, ka miratuar Projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se trajtimi i lëndëve komerciale ka dëmtuar ambientin e të bërit biznes, pasi ka zgjatur me vite të tëra dhe ka lindur ideja për këtë që të formohet një gjykatë e tillë.

“Duke pasur parasysh ngarkesat e Gjykatave Themelore në zgjidhjen e kontesteve të natyrave të ndryshme, përfshirë edhe natyrën komerciale, e cila vazhdon të zgjasë me vite të tëra, ka lindur nevoja për themelimin e një mekanizmi juridik, i cili përshpejton shqyrtimin dhe trajtimin e lëndëve komerciale. Stërgjatja e trajtimit të lëndëve komerciale ka cenuar sigurinë juridike dhe ka dëmtuar ambientin e të bërit biznes, si dhe i ka dekujaruar investimet në Kosovë”, është shprehur Haxhiu.

Sipas saj, kjo gjykatë do të merret me trajtimin e zgjidhjeve të kontesteve mes personave juridikë, fizikë dhe shoqërive tregtare.

“Themelimi i kësaj gjykate do të mundësojë zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës sepse i njëjti ka për qëllim nxitjen e investimeve në Kosovë dhe krijimit të një ambienti të përshtatshëm të të bërit biznes”, shtoi Haxhiu.

Po ashtu, ajo ka potencuar se themelimi i një gjykate të tillë shënon një hap para në reformimin e drejtësisë komerciale në Kosovë.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, pikë e rendit të ditës janë vendosur propozim-vendime, dy prej të cilave kanë të bëjnë me çështjen e sigurimit kufitar për bashkë-atdhetarët.

Në këtë propozim kërkohet mbulim nga Qeveria e Kosovës të obligimeve të Primit të sigurimit kufitar, për mërgimtarët dhe të huajt që hyjnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Ndryshe, ditë më parë, Ministria e Drejtësisë ka diskutuar lidhur me projektligjin dhe funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, ku edhe është folur për çështjen e dyshkallshmërisë së kësaj gjykate si dhe rolit të saj në shqyrtimin e lëndëve të natyrës komerciale të bizneseve dhe personave të tjerë juridikë në Kosovë.

Ndërsa, nuk kanë qenë të pakta as kërkesat e përfaqësueseve të bizneseve brenda territorit të Republikës së Kosovës, të cilët kanë avokuar vazhdimisht për një mekanizëm gjyqësor qe do të mundësonte zgjidhje të shpejtë të problemeve të bizneseve dhe investitorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore