Lajme

Kosovë: Çështja e grave të dhunuara gjatë luftës kërkohet të jetë prioritet për presidenten Osmani


Çështja e grave të dhunuara gjatë luftës, të pagjeturit dhe fuqizimi i grave në Kosovë, është kërkuar të jetë prioritet i punës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ne si Qendër do të donim që çështjen e dhunimit të grave gjatë luftës të jetë në prioritetet dhe në agjendën e saj, po ashtu çështja e dialogut Kosovë-Serbi të përfshijë edhe gratë, si dhe çështja e të pagjeturve të jetë në tavolinën e saj në çdo diskutim që e ka”, ka thënë Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli.

Demolli në një intervistë për KosovaPress, ka theksuar se presidentja Osmani “duhet të krijojë komisione ose nën kompetencën e saj, këshilla që punojnë në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave në Kosovë”.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe drejtoresha e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, sipas të cilës, Osmani “duhet të tregojë përkrahje konkrete për vajzat dhe gratë në Kosovë”.

Po ashtu, sipas Rogovës, angazhimi i presidentes Osmani në fushën e arsimit “është një ndër çështjet më kryesore që duhet të përkrahen vajzat në Kosovë”.

Se do të jetë përkrahëse e grave në Kosovë, e ka thënë edhe Osmani në fjalimin e saj të parë si presidente, ku pas betimit të saj, ajo e ka dhënë një porosi për të gjitha gratë dhe vajzat.

“Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty ku ato punojnë me zell. Mos u ndalni, mos e ndalni hapin tuaj kurrë, çdo gjë është e mundur”, është shprehur Osmani.

Me 71 vota pro nga 82 gjithsejtë sa ishin në kuti, Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente e Kosovës.

Ajo është gruaja e dytë që votohet nga Parlamenti i Kosovës për këtë post dhe presidentja e gjashtë me radhë e Kosovës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore