Lajme

Kosova nuk mund të krijojë alternativa në politikën e saj të jashtme


Ilustrim

“Kosova nuk duhet dhe nuk mund të krijojë alternativa të reja në politikën e saj të jashtme”, kështu është deklaruar ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke shtuar se më e rëndësishme për Kosovën është cilësia e marrëdhënieve që ajo e ndërton me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa orientimi në krijimin e aleancave të reja.

“Kosova duhet të kujdeset që evoluimet eventuale strategjike të parterëve të saj, mos të përkthehen në zbehje të pranisë e interesimit të tyre për Kosovën”, ka thënë Ymeri për Albanian Post.

Ymeri, madje mendon se jetësimi i plotë i shtetësisë dhe i subjektiviteti ndërkombëtarë të Kosovës duhet të bëhet në bashkëpunim me shtetet që i takojnë demokracisë liberale dhe me shtetet që i respektojnë të drejtat e njeriut.

“Kosova dhe shtetësia e saj, si proces çlirimi dhe pavarësimi janë të ndërlidhura ngushtë me një etapë të caktuar të historisë dhe me një filozofi të caktuar politike që në qendër e ka demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë ai për AP.

Analisti Ymeri, ka theksuar se bashkëpunimi, veçanërisht ai ekonomik, me vende të rajonit është mundësi e mirë zhvillimi për të gjitha vendet, mirëpo sipas tij Kosova duhet të ketë kujdes që ky bashkëpunim të jetë i bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë dhe të ndërveprimit korrekt e të shumë anshëm.

“Asnjë tendencë hegjemonie ekonomike nga Serbia nuk e ndihmon as zhvillimin e as paqen. Dhe ky parim duhet kërkuar e gjetur në secilin bashkëpunim tonin, Kosova duhet të insistojë në trajtim të barabartë edhe ekonomikisht dhe përherë ta zgjerojë bashkëpunimin në fushat të cilat kontribuojnë edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri

Edhe për, këshilltarin e ish-kryenegociatores së Kosovës Edit Tahiri, Gazmir Raci, SHBA-të dhe BE-ja janë të vetmet garantues të paqes, sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.

“Jo Kosova nuk ka nevojë për alternativa në politikën e saj të jashtme sepse shtet ndërtimi i saj është e ndërlidhur ngushtë me partneritetin strategjik me SHBA-të dhe BE-në”, ka thënë Raci për Albanian Post.

Raci për Albanian Post ka theksuar se investimet e pranuara nga ana e Kosovës duhet të jenë të orientuara në vijë me partnerët strategjik.

Këshilltarin e ish-kryenegociatores së Kosovës Edit Tahiri, Gazmir Raci

“Nuk ka mundësi të ndryshohen orientimet strategjike për shkak të zhvillimeve të mundshme gjeopolitike, Kosova ka qenë dhe duhet të jetë në një vijë me SHBA-të përndryshe progresi i Kosovës si shtet do të jetë i diskutueshëm pastaj”, ka përfunduar ai.

“Kosova dhe shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor duhet ta shohin ndikimin në rritje të Kinës dhe të mbrohen nga aktivitetet e saj”.

Kështu ishte deklaruar Drejtori i Institutit për Studimin e Drejtave të Njeriut në Universitetin e Columbia-s, David L. Phillips, ditë më parë për BIRN.

Sipas tij ndikimi rus në rajon është zbehur dhe se Kina është kërcënimi më e madhe për Kosovën.

“Rusia kërkon të nxisë kaosin dhe paqëndrueshmërinë në rajon ndërsa Kina bënë hapa sistematike për të integruar dhe kontrolluar ekonomitë e vendeve të Ballkanit duke e përdorur diplomacinë ekonomike”, kishte thënë Phillips, për BIRN.

 

Drejtori i Institutit për Studimin e Drejtave të Njeriut në Universitetin e Columbia-s, David L. Phillips

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore