Shqipëria

Konsorciumi amerikano-italian do të japë me qira termocentralin me naftë në Shqipëri


Ndërmarrja energjetike e Shqipërisë – Korporata Elektroenergjetike Shqiptare – do të marrë me qira një termocentral të lëvizshëm me naftë, me një kapacitet të instaluar 110-130 megavat (MW) nga konsorciumi amerikano-italian “Excelerate Energy-Renco”.

Një muaj më parë, KESH bëri thirrjen për shprehje interesi për përcaktimin e mundësive për marrjen me qira të një aseti të prodhimit të energjisë që mund të vendoset dhe ndërlidhet lehtësisht në rrjetin e transmetimit të Shqipërisë.

Kompania synon të sigurojë një furnizim shtesë me energji elektrike, me çmime më të ulëta se ai i paguar për import.

Në tetor, Shqipëria shpalli një emergjencë energjetike, për shkak të mungesës së energjisë elektrike për konsum të brendshëm të shkaktuar nga kriza energjetike.

KESH tani ka njoftuar se ka marrë dy shprehje interesi, njëra nga konsorciumi amerikano-italian “Excelerate Energy-Renco” dhe nga “Distributed Power Solutions” me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Oferta nga “Excelerate Energy dhe Renco” u pranua, ndërsa oferta e “Distributed Power Solution” nuk ishte në përputhje me dispozitat e thirrjes për shprehje interesi dhe u refuzua, sipas KESH-it.

Ndërkaq oferta nga “Excelerate Energy dhe Renco” u vlerësua dhe u shpall fituese.

Kjo e fundit ka një portofol të madh të terminaleve lundrues LNG, ndërsa aktivitetet kryesore të Renco janë shërbimet e këshillimit, inxhinierisë dhe ndërtimit për sektorin e energjisë.

Për t’u theksuar, në thirrjen e tij, KESH-i ka renditur nëntë kërkesa teknike për objektin.

Ndër to është se termocentrali duhet të jetë në përputhje me kërkesat ligjore të Shqipërisë për ndotjen e mjedisit dhe i përshtatshëm për t’u vendosur pranë termocentralit të Vlorës për të përdorur infrastrukturën e tij të ndërlidhjes.

Dështimi i kushtueshëm i Termocentralit të financuar nga Banka Botërore në Vlorë
TEC-u i Vlorës.

Më 12 mars 2021, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me SHBA-të për të futur në vend gazin e lëngshëm natyral (LNG) nga Amerika.

Po ashtu, kjo marrëveshje do ta shndërronte TEC-in e Vlorës me LNG, duke ndërtuar një terminal të ri gazifikimi dhe shpërndarjeje të gazit të lëndshëm natyral.

Ndërkohë që vetë qyteti bregdetar shndërrohet në HUB rajonal për gazin e lëngshëm.

Projektet diellore – në dy vitet e fundit – Shqipëria progres

Kompanitë private dhe ato shtetërore në Shqipëri janë duke avancuar në procedurën e licencimit për instalimin e gjashtë termocentraleve të mëdhenj dhe dhjetë të vegjël diellorë.

Shumica janë planifikuar të ndërtohen në Qarkun e Fierit.

Projektet, me një kapacitet të kombinuar 570 megavat (MW), kanë arritur progres në dy vitet e fundit, krahasuar me 23 MW ekzistues në të gjithë vendin.

Projektet fotovoltaike janë në faza të ndryshme të procedurës së licencimit të kryer nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM).

Në gusht, kryeministri Edi Rama ka theksuar se Shqipëria do të bëhej kampione rajonale në prodhimin e energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030 dhe njëkohësisht eksportuese të një energjie të gjelbër të rinovueshme.

“Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt horizontit të ‘Shqipërisë 2030’ në përmbushjen për ta kthyer Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportuese të një energjie të gjelbër të rinovueshme”, tha ai gjatë ceremonisë së hapjes së ankandit për ngritjen e parqeve eolike.

Ky ka qenë një nga premtimet e Kryeministrit gjatë fushatës zgjedhore të 2021-shit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore