Shqipëria

Rama: Mirënjohës SHBA-së, kemi hyrë në një Epokë të Artë për Shqipërinë dhe Rajonin


Shqipëria nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimin me SHBA për të futur në vend gazin e lëngshëm natyral (LNG) nga Amerika.

Po ashtu kjo marrëveshje e shndërron TEC-in e Vlorës me LNG, duke ndërtuar një terminal të ri gazifikimi dhe shpërndarje të gazit të lëndshëm natyral ndërkohë që vetë qyteti bregdetar shndërrohet në HUB rajonal për gazin e lëngshëm.

Në takimin që u mbajt për të firmosur marrëveshjen e memorandumit midis Shqipërisë dhe SHBA-ve, e cila po zhvillohet online, po merr pjesë edhe Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim dhe përfaqësuesit e kompanive ExxonMobil dhe Excelerate Energy.

Më herët gjatë ditës u konfirmua lajmi se do të rifillohej ndërtimi i Termocentralit të Vlorës.

Fjala e kryeministrit

“Mirësevini në kryeqytetin më proamerikanë të botës”, fillon fjalën e tij kryeministri. “Ndihesh si në një takim midis Davidit dhe Golias”, përshkruan kryeministri, Edi Rama, përballjen me kompanitë pjesëmarrëse. “Jemi këtu për të qënë aleat fatmirësisht”.

“Në këtë rrugëtim drejt së ardhmes, do të jemi në gjendje ta shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues të energjisë në rajon e më gjerë. Kemi ekspertizën më të mirë me partnerët e përzgjedhur nga liderët tanë amerikanë”.

“Është një hap vërtet i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shton Edi Rama. “Është projekti i dytë në pak kohë midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. Projetki i Skavicës s’do të ish i mundur pa Ambasadoren Amerikane, duke i dhënë një përmasë të jashtëzakonshme bashkëpunimit”.

“Kjo rrit moralin dhe nivelin ekonomik të vendit dhe qytetarëve. Të sjellim në jetë një nga investimet e së kaluarës për ne është shumë e rëndësishme. Konvertimi i TEC-it të Vlorës nga nafta në gaz, është një hap i jashtëzakonshëm. Me një gur vrasim dy zogj, thonë nga anët tona”, thotë kryeministri. “Dy projekte tej mase te rëndësishme në një marrëveshje të vetme”.

“Ndoshta nuk është diçka kaq e madhe për kompaninë ExxonMobil, por emri i saj do jetë i pandashëm kur të shkruhet historia dhe prania e saj në rajonin e Ballkanit”.

Fjala e ambasadores

Yuri Kim theksoi se nënshkrimi i memorandumit “është një akt i jashtëzakonshëm”. Ajo shton se “Shqipëria ka bërë përparim shumë të madh në 30 vjet demokraci”.

“Dua të përgëzoj ministren Balluku dhe të gjithë ekipin e saj, që kanë realizuar një marrëveshje të frytshme. Memorandumi i sotëm dhe nënshkrimi i tij është një moment i jashtëzakonshëm. Termocentrali i Vlorës do të shënojë një hap të rëndësishëm, për më tej. Shqipëria bëhet një partner i besueshëm”.

“Dita e sotme është një gur themeli gjigand në këtë drejtim. Më 15 mars, festojmë 30 vjet të vendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Në Shqipëri është bërë përparim shumë i madh. Përgëzime, jini krenar për atë që keni arritur”, tha ambasadorja Kim.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore