Shqipëria

“Open Balkan” – investim për termocentralin diellor 700 MW


Foto ilustruese Park Fotovoltaik

“Së bashku me udhëheqësit e Shqipërisë dhe Serbisë do të investojmë ndoshta për stacionin më të madh fotovoltaik prej rreth 700 MW”.

Kjo është deklarata e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë një interviste për  agjencinë e lajmeve serbe “Tanjug”. Ai nuk ka dhënë informacione të mëtutjeshme.

E gjitha kjo nismë vjen pas takimit trepalësh, në kuadër të iniciativës së ashtuquajtur “Mini Schengen”, tashmë zyrtarisht “Open Balkan”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten e 29 korrikut u mblodhën në Shkup për Forumin Ekonomik të Bashkëpunimit Rajonal.

Krerët përkatës të këtyre vendeve u angazhuan në samit për të forcuar lidhjet ekonomike, në bazë të parimit të katër lirive të Bashkimit Evropian për: lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit.

Të tre udhëheqësit u bënë thirrje tre vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen grupit.

RMV–ja angazhohet në ndërtimin e një impianti fotovoltaik deri në 350 MW

Gjatë intervistës, Zaev ka bërë me dije se planet e qeverisë janë investimet në sektorin e energjisë, deri në vitin 2027, ku pret 3.1 miliardë euro shpenzime publike, kapitale private dhe grante.

Ndërmarrja shtetërore e energjisë “Elektrani na Severna Makedonija” (ESM) po zhvillon tashmë projekte të termocentraleve, për të zëvendësuar impiantet e qymyrit.

Zaev ka thënë se “vendi synon të ndalojë përdorimin e lëndëve djegëse fosile të dëmshme deri në vitin 2027”.

ESM-ja, së fundmi, ishte ngarkuar me ndërtimin e një sistemi fotovoltaik deri në 350 MW pranë Shtipit.

Shqipëria paraqiti projektet e saj më të mëdha përmes ankandeve

Në Shqipëri, kompania franceze “Voltalia” u zgjodh në ankandet e fundit për të instaluar projektin e Spitalles deri në 100 MW dhe termocentralin diellor të Karavastasë deri në 140 MW.

Kompanitë private po punojnë në tre sisteme fotovoltaike prej 50 MW secila në Fier. Ata nuk do të kenë të drejtë për asnjë lloj subvencioni.

Serbia ka plane të mëdha në sektorin e energjisë diellore

Qeveria e Serbisë sapo ka filluar të negociojë me “UGT Renewables”, me bazë në Chicago, për ndërtimin e dhjetë centraleve diellore, me një kapacitet të kombinuar prej 1 GW.

Ende është e paqartë nëse kompania do të instalonte njësitë fotovoltaike për prodhuesin shtetëror të energjisë “Elektroprivreda Srbije” (EPS) apo projekti do të zbatohej në një formë tjetër.

EPS-ja ka realizuar projektet e energjisë diellore në tubacion në deponitë e hirit të termocentralit – që arrin kapacitetin prej 97.2 MW dhe tre prej tyre pothuajse 10 MW secila.

“UGT Renewables” tha se do të zgjidhte vende me tokë me vlerë të ulët ekonomike. Vlen të përmendet se komunat u autorizuan kohët e fundit për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore të shkallës së ulët për termocentralet me energji të rinovueshme.

Ka vetëm 11 MW në sistemet e energjisë diellore të instaluara në Serbi, ose pak më shumë se 20 MW, sipas vlerësimeve të tjera.

Gjatë muajit prill, qeveria miratoi Ligjin shumë të lavdëruar për Përdorimin e Burimeve të Rinovueshme të Energjisë, i cili mund të ketë hapur rrugën për një zgjerimi në këtë sektor. Dy vendet e tjera kanë nivele të ngjashme të kapacitetit të përfunduar.

Sa i përket sektorit privat, muajin e kaluar “Fintel Energija” dhe “MK Group” shpallën projektin e tyre “Agrosolar Kula” prej 660 MW, i cili do ta bënte atë më të madhin në Evropë.

“Open Balkan”

Krerët e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor, të enjten e 29 korrikut, konkretizuan dy marrëveshje të reja, në kuadër të implementimit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian.

Dy marrëveshje të reja dhe një memorandum, i cili do të nënshkruhet përfundimisht në një vend të dytë, u firmosën nga kryeministri Rama, homologu i tij maqedonas, Zaev, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiç.

Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis tre vendeve.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara të doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve. Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor. Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me atë evropiane.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet.

Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

Kur më pas të kthehet në marrëveshje dhe të hyjë në fuqi, qytetarët e tre vendeve nuk do të kenë më pengesa në gjetjen e punës midis tre shteteve. Pra, një koncept tërësisht identik me atë të Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore