Shqipëria

BE është e plotë vetëm me integrimin e Ballkanit Perëndimor, thotë Hasani


Bashkimi Evropian do të jetë më i plotë vetëm me integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kështu deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën e tij gjatë aktivitetit për “Ditën e Evropës”.

Sipas Hasanit mbetet thelbësor përshpejtimi i procesit të integrimit, pasi vetëm kështu Evropa do të jetë më e plotë dhe më e sigurt.

“Fjala kyç për Evropën sot, por sidomos për ne është përshpejtimi i procesit të integrimit, jo ngecia në vend, jo ecja mbrapa”.

Për kryediplomatin shqiptar vetëm kështu Evropa do të jetë më e plotë dhe më e sigurtë përkundrejt çfarëdo lloj sfide brenda dhe jashtë kontinentit.

“Pa bashkësinë e vendeve të Bashkimit Evropian asnjë vend i veçantë sado i madh apo i zhvilluar qoftë nuk mund të luaj një rol protagonist në skenën globale”.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka dhënë në Ditën e Evropës sërish mesazhin se integrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet.

Teksa ka marrë pjesë në një aktivitet në kuadër të Ditës së Evropës, Gonzato ka thënë se BE e ka kuptuar tashmë që duhet të përfundojë procesin e integrimit, duke thënë se sinjalet janë të qarta nga unioni.

“Nga Brukseli ka sinjale të qarta se jemi në një moment tjetër të procesit të zgjerimit”, ka theksuar ai.

Por, Gonzato ka theksuar po ashtu se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të çojnë para reformat e kërkuara nga BE-ja.

“E kemi kuptuar që në duhet ta plotësojmë procesin e integrimit, ta përfundojmë atë. Po integrojmë një pjesë të rëndësishme të euro në këtë projekt fantastik, sinjalet janë të qartë, çelja e negociatave për anëtarësim jo vetëm me Shqipërinë, me Bosnjën, me Maqedoninë dhe shpejtësia me të cilat shtete anëtarët dhe PE kanë rënë dakord për planin e rritjes, por edhe për reforma që janë kyçe për të ndërtuar këtë lloj shoqërie që kërkojmë”, ka thënë Gonzato.

Dita e Evropës

Kontinenti i vjetër ka një arsye më shumë çdo vit për të qenë më i bashkuar se kurrë më 9 maj, kur feston ditën e Evropës.

Kjo datë, shënjon përvjetorin historik të asaj që quhet Deklarata e Schuman-it, mbajtur më 9 maj 1950. Kjo deklaratë, do të rrënjoste një herë e mirë në histori, ndryshimin e një qasjeje të gabuar armiqësore ndërmjet shteteve evropiane dhe fillimin e një aleance të re.

Pikërisht kjo deklaratë, do t’i hapte rrugë një fillimi të ri e të madh për djepin e qytetërimit botëror. Krijimit të Bashkimit Evropian.

Deklarata e Schuman-it

Deklarata e Schuman-it, u prezantua nga ministri i Jashtëm francez në vitin 1950, Robert Schuman. Pikërisht nga ai, merr edhe emërtimin. Më 9 maj të këtij viti, deklarata propozonte krijimin e një komuniteti evropian për prodhimin e qymyrit dhe çelikut.

Ajo u quajt ESCS. Vendet themeluese, ishin Franca, Gjermania Perëndimore, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu.

Pikërisht kjo bashkësi e prodhimit, do të ishte ajo që më vonë do të zgjerohej dhe do të emërtohej si Bashkimi Evropian që ne sot njohim.

Fatkeqësia e madhe që Lufta e Dytë Botërore solli në kontinentin e vjetër, duhej tejkaluar në një mënyrë. Ajo mënyrë, ishte nëpërmjet bashkëveprimit dhe paqes.

Pikërisht këtë synonte deklarata – pamundësinë e shteteve anëtare, që të kryenin akte dhune njëra ndaj tjetrës. Një mënyrë për të bërë të pamundur, atë çfarë kishte ndodhur në dy dekada radhazi – shpërthimi i luftërave të mëdha.

Dy rivale historike si Franca dhe Gjermania, jo vetëm që nuk do të mund të konceptonin dot më luftën midis njëra-tjetrës, por ajo do të bëhej teorikisht e pamundur.

Sot, BE-ja si një bashkësi ekonomike, me një monedhë të përbashkët, me kufij të hapur për vendet anëtare. Një superfuqi ekonomike botërore, për të rivalizuar gjigandët si SHBA-të apo Kina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore