Shqipëria

Hetimet mbi Kadastrën, SPAK zbardh akuzat për 4 të arrestuarit


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarit e çështjes së korrupsionit në Kadastër.

SPAK thotë se procedimi penal u krye më  24 mars të 2020-s.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore gjykata ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, për personin nën hetim D. S., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, për personin nën hetim A. O., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, për personin nën hetim A. H., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Caktimin e masës së sigurimit personal atë të “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të, për personin nën hetim Y. B., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka ekzekutuar në datën 26 prill 2024.

Për personat nën hetim D. S., zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së dhe A. O., kryeplak i Lagjes së Re, Sauk, Tiranë, ka dyshime të bazuara në prova, se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Kjo pasi këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta, për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.

Gjithashtu me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve që kanë rezultuar nga përgjimet e bisedave telefonike, administruar në fashikullin e procedimit penal.

Për personat nën hetim A. H., me detyrë në kohën e kryerjes së veprimeve, jurist i Aluiznit, Tirana Jug dhe më pas ASHK, Tirana Jug dhe shtetasi Y. B., në rolin e sekserit, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Kjo pasi me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, shpërblim në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve G.K., N.S., E. M. dhe K.D.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore