Shqipëria

Klinaku kërkesë Shqipërisë: Mos e ekstradoni Dritan Goxhaj në Hagë


Faton Klinaku

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, i ka bërë thirrje Shqipërisë që të mos e ekstradojnë në Dhomat e Specializuara në Hagë të Holandës ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili është arrestuar më 31 korrik nga autoritetet shqipare.

Klinaku, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka kërkuar që shteti shqiptar të mos ekstradojë askënd në Dhomat e Specializuara në Hagë, ngase sipas tij, akuzat e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale janë kryekëput politike. Ai ka konsideruar se institucionet e Shqipërisë janë “sovrane”, ndërsa ato të Kosovës të “gjora”.

“Dritan Goxhaj ka dhënë intervista në gazeta e televizione të ndryshme dhe mund të ketë nxjerrë ndonjë emër që është dëshmitar aty, por bazuar në praktikën e Gjykatës Speciale, intervistat e tij do të ballafaqohen e përdoren kundër të akuzuarve në Hagë”, ka shkruar Klinaku të enjten.

Goxhaj akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Ai iu bashkua UÇK-së si oficer i ushtrisë shqiptare dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

S’kam kryer krime, por i kam shërbyer me zemër Kosovës/Kështu i bëni qejfin Serbisë – Dëshmon ish-oficeri i UÇK-së, Dritan Goxhaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore