Shqipëria

S’kam kryer krime, por i kam shërbyer me zemër Kosovës/Kështu i bëni qejfin Serbisë – Dëshmon ish-oficeri i UÇK-së, Dritan Goxhaj


“Nuk kam kryer asnjë krim. I kam shërbyer me mendje e zemër vendit tim dhe Kosovës. Çfarë kam bërë që të arrestohem për hatër të Serbisë?”.

Ka qenë kjo dëshmia që i ka dhënë togave të zeza Dritan Goxhaj, ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u la në burg nga Gjykata e Apelit, pas rishikimit të vendimit kundrejt tij.

Ish-oficeri i UÇK-së lihet në burg edhe pas rivlerësimit

Kërkesën për arrestimin e tij e ka bërë Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Deri më tani, institucionet e drejtësisë kanë sqaruar se ndalimi është bërë pasi Goxhaj akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Prokuroria e Tiranës zbuloi se Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë caktoi masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” ndaj Goxhajt.

Ai pritet të ekstradohet drejt Republikës së Kosovës, pas realizimit të procedurave nga autoritetet shqiptare.

Gjykatësi i Vetëm kishte lëshuar fletë-arrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta (‘shteti pritës’).

Gjithashtu, gjykatësi i vetëm autorizoi kontrollimin e vendit të arrestimit dhe të vendit të banimit te tij, si edhe sekuestrimin  e materialeve gjate kontrollimit të tyre.

Gjykata Speciale e Kosovës kishte lëshuar urdhër-arrest për Goxhajn, i cili ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë vitit 1999.

Policia ushtroi kontroll, me kërkesë të Gjykatës Speciale, e cila më herët ka dërguar në pranga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Prishtinës.

Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës, konfirmoi për Albanian Post se ish-oficeri i UÇK-së u arrestua pasi dyshohet se ka kryer veprën penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

“Mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu Griep bëri të ditur se më vonë “do të jepet më shumë informacion” lidhur me prangosjen e Goxhajt në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore