Lajme

Kina i kërkon fleksibilitet SHBA-ve lidhur me Korenë e Veriut


Ambasadori i Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) të jenë më të hapur në marrëdhëniet e tyre me Korenë e Veriut.

Kjo pasi Pekini iu bashkua të tjerëve në refuzimin e nënshkrimit të një deklarate të përbashkët të Këshillit të Sigurimit të hartuar nga SHBA-të, që dënon lëshimet e raketave të Pyongyang-ut (kryeqyteti i Koresë së Veriut).

Regjimi i Kim Jong-un kreu shtatë teste të paprecedentë armësh në janar, duke përfshirë lëshimin e raketës më të fuqishme që nga viti 2017, pasi la të kuptohej se mund të rifillonte testimin me rreze bërthamore.

Washington-i kishte propozuar një deklaratë që dënonte ato lëshime, por Kina dhe Rusia, së bashku me disa shtete të tjera, refuzuan ta nënshkruanin atë, duke bërë që SHBA të thoshte se “heshtja e vazhdueshme” e këshillit do ta inkurajonte Korenë e Veriut të sfidonte më tej komunitetin ndërkombëtar.

Përpara një takimi me dyer të mbyllura të thirrur me kërkesë të Washington-it të premten, ambasadori i Kinës në OKB, Zhang Jun, tha se çelësi për lehtësimin e tensioneve me Korenë e Veriut është në duart e SHBA-ve.

“Nëse ata duan të shohin përparim, SHBA-të duhet të tregojnë më shumë sinqeritet dhe përshtatshmëri”, tha Zhang.

Një foto e publikuar nga Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut tregon një foto nga hapësira për të cilën thuhet se janë marrë nga një kamerë e instaluar në maje të raketës.

“Ata duhet të dalin me qasje më të buta dhe praktike, duhet të jenë më të përshtatshëm sa i përket shqetësimeve të DPRK-së”, u tha Zhang gazetarëve.

Zyrtari kinez vuri në dukje se si rezultat i politikës së ish-presidentit amerikan Donald Trump ndaj Koresë së Veriut, Pyongyang kishte pezulluar testet bërthamore.

Kina dhe Rusia kanë bllokuar veprimet e Këshillit të Kombeve të Bashkuara për Korenë e Veriut dhe vitin e kaluar propozuan një rezolutë që do të lehtësonte sanksionet ndaj Pyongyan-ut, për arsye humanitare, por drafti nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së mbështetjes.

“Të paktën ne po bëjmë diçka për të lehtësuar përmirësimin e mëtejshëm dhe për të shmangur përshkallëzimin e tensionit”, tha Zhang.

Pas takimit, e dërguara e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield, tha se propozimi kinezo-rus për lehtësimin e sanksioneve do ta shpërblente në mënyrë efektive Korenë e Veriut për atë që ajo e quajti “sjellje të keqe”.

“Nuk ka asnjë arsye që ky këshill t’i shpërblejë ata për nëntë teste në një muaj dhe pothuajse po aq në vitet e mëparshme”, u tha ajo gazetarëve.

I pyetur në lidhje me thirrjen e Zhang-ut për rritjen e veprimit të SHBA-ve dhe nëse presidenti, Joe Biden duhet të përfshihet drejtpërdrejt në diplomaci, Thomas-Greenfield përsëriti se SHBA-të ishin të gatshëm të takohen me Korenë e Veriut pa parakushte.

“Por”, shtoi ajo, “para se të mund ta angazhojmë presidentin tonë për takim, ne duhet të kemi një kuptim më të mirë të asaj që duhet të arrijmë”.

“Nuk mund të komentoj se çfarë arriti administrata Trump. Kemi pasur testime të raketave balistike gjatë katër viteve të fundit. Nuk e ndaloi kurrë. Kështu që ne duhet të vazhdojmë presionin”.

Ajo tha se, deri më tani “nuk kemi qenë në gjendje t’i sjellim në tryezën diplomatike për çfarëdo diskutimi”.

Takimi i së premtes për Korenë e Veriut ishte i treti për një muaj.

Në të fundit më 20 janar, tetë anëtarë të këshillit – Shqipëria, Brazili, Britania, Franca, Irlanda, Norvegjia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shtetet e Bashkuara – së bashku me Japoninë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar testet bërthamore nga Korea e Veriut.

Shtatë anëtarët e tjerë – Kina, Gaboni, Gana, India, Kenia, Meksika dhe Rusia – refuzuan të nënshkruajnë.

Të premten, të njëjtat tetë vende dhe Japonia, sërish e udhëhequr nga Washingtoni, lëshuan një deklaratë të re duke përsëritur një thirrje për Korenë e Veriut që të “ndalojë veprimet e saj destabilizuese dhe t’i kthehet dialogut”.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje DPRK-së që t’i përgjigjet pozitivisht ofertave nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët për t’u takuar pa parakushte”.

Deklarata thirri gjithashtu anëtarët e tjerë të këshillit të sigurisë, duke thënë se “kostoja e heshtjes së vazhdueshme të këshillit është shumë e lartë”.

“Ajo do ta inkurajojë DPRK-në që të sfidojë më tej komunitetin ndërkombëtar; të normalizojë shkeljet e rezolutave të Këshillit të Sigurimit; për të destabilizuar më tej rajonin; dhe të vazhdojë të kërcënojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Koreja e Veriut të premten i dërgoi “urime të ngrohta” aleatit të saj kinez për Lojërat Olimpike të Pekinit, një mesazh që ekspertët e konsiderojnë një sinjal të mundshëm për ndalimin e gjuajtjes së raketave gjatë ngjarjes sportive.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka planifikuar të mbajë bisedime trepalëshe në Haëaii më 12 shkurt me Korenë e Jugut dhe Japoninë për Korenë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore