Lajme

Këta kanë nisur ta hanë turpin me bukë, Haradinaj pas djegës së gjeneratorit te ministria


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas publikimit të pamjeve të gjeneratorit të ministrisë së Infrastrukturës që është përfshirë nga zjarri ka kritikuar Qeverinë duke thënë se kanë agregata të mjaftueshëm për t’i djegur.

“Ministrat kanë agregatë, kryeministri ka agregat, edhe ministritë kanë, bile edhe me ua shti flakën, pavarësisht se sa kushtojnë. Po çka të bëjnë ata që s’kane as agregatë e besa po kanë gjithnjë e më pak gjithçka tjetër! Kryesorja, vala 58 e shitjes së pronës publike po vazhdon!”.

Sipas tij, pushteti aktual “pos që po i hajnë fjalët e veta, kanë nisë me e hangër turpin me bukë!”.

Gjeneratori i ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës është përfshirë nga zjarri të martën rreth orës 11:30.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti e ka konfirmuar këtë përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Zjarri është lokalizuar, bazuar në të dhënat fillestare nuk  për persona të lënduar”, ka thënë Ahmeti.

Zjarrfikësit në vendin e ngjarjes, foto: KosovaPress.

Ahmeti ka shtuar se pas pranimit të informacionit njësia policore dhe zjarrfikësit kanë dalur në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 11:30 e kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën Fazli Grajçevci në Prishtinë. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë policia dhe zjarrfikësit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore