Lajme

Këshilltari i lartë i Presidentit Biden, pas hetimit, jep dorëheqjen


Këshilltari i lartë shkencor i Presidentit amerikan Joe Biden, Eric Lander, këtë të hënë ka dhënë dorëheqjen, pasi u zbulua se ai kishte shkelur rregullat e vendit të punës.

“Kemi mbledhur grupin më të mahnitshëm të njerëzve në Zyrën e Shkencës dhe Teknologjisë (OSTP) dhe së bashku kemi vendosur qëllimet më ambicioze që kjo agjenci ka parë ndonjëherë”, shkroi Lander në letrën e tij të dorëheqjes drejtuar Presidentit Biden.

“Por është e qartë se disa nga gjërat që kam thënë dhe mënyra se si i kam thënë, në disa raste kanë kapërcyer limitet. Ky nuk ishte kurrë qëllimi im”.

Dorëheqja e këshilltarit të Presidentit vetëm një ditë pasi u shfaqën raportet se ai kishte qenë subjekt i një hetimi të brendshëm, në fund të vitit të kaluar pas një ankese të paraqitur nga Zyra Ekzekutive e Rregullave të Sigurta dhe të Respektueshme në vendin e punës.

Hetimi, i raportuar fillimisht nga agjencia mediatike Politico, gjeti “prova të besueshme” të shkeljeve të rregullave dhe “u ndërmorën veprime korrigjuese në përputhje me ato gjetje”, tha një zëdhënës i OSTP-së për agjencinë e lajmeve CNN.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, konfirmoi dorëheqjen.

Ajo tha se Presidenti pranoi letrën e dorëheqjes së Dr. Eric Lander me mirënjohje për punën e tij në OSTP mbi pandeminë, luftën kundër kancerit, ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera kryesore.

“Ai e di se Dr. Lander do vazhdojë të japë kontribute të rëndësishme për komunitetin shkencor në vitet në vijim”.

Por, në një letër të veçantë shkruhej se Shoqata Amerikane për Avancimin e Shkencës nuk do ta mirëpriste më Landerin si folës në takimin e saj vjetor, duke shtuar se organizata ishte “e zhgënjyer” kur mësoi për hetimin e Shtëpisë së Bardhë dhe se Lander nuk po sillet në një mënyrë që i përshtatet një udhëheqësi shkencor.

Në një email drejtuar stafit të OSTP-së, Lander kërkoi falje që u foli kolegëve në një “mënyrë mosrespektuese dhe nënçmuese”.

“Është përgjegjësia ime të vendos një ton respekti për komunitetin tonë. Është e qartë se nuk e kam mbajtur këtë përgjegjësi”, shkroi ai.

“OSTP është një organizatë e mrekullueshme me njerëz të mahnitshëm, që marrin përsipër gjëra të mëdha, ambicioze. Ju meritoni më mirë dhe unë do të bëj më mirë. Ju keni përkushtimin tim absolut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore