Shqipëria

KAS nuk pranon provat e PD-së për grabitjen e votave nga PS-ja dhe Mark Frroku


Ish-deputeti socialist Mark Frroku është njëri prej emrave të paraqitur nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike për blerjen e votave në qytetin e Shkodrës. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve nuk i mori për shqyrtim provat e paraqitura nga PD-ja, por pranoi kryqëzimin e shenjave të gishtave për listën emërore me 300 persona të përfshirë në vjedhjen e votave nga ana e demokratëve.

Partia Demokratike akuzoi Partinë Socialiste për grabitjen e votave në qytetin e Shkodrës, duke e lidhur me figura të inkriminuara më herët, si Mark Frroku apo Pëllumb Gjoka.

Sakaq, sipas deklaratës së PD-së Mark Frroku, ka qenë një nga figurat kryesore në skemën e grabitjes së votës në qarkun e Shkodrës. Frroku, sipas tyre, në bashkëpunim me kandidatët për deputet të PS-së Benet Beci si dhe një listë punonjësish të administratës publike janë përfshirë në aferat e shit-blerjes së votës.

Ndërkaq, ata kanë deklaruar se Pëllumb Gjoka, një nga trafikantët më të fuqishëm të drogës në zonën e Velipojës dhe qytetit të Shkodrës, një bashkëpunëtor i bandës së Bajrave, ka përfituar 2,8 milionë euro tendera nga Bashkia Tiranë dhe leje ndërtimi nga KRRTRSH, në këmbin të blerjes së votave në Shkodër.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka marrë gjatë këtyre ditëve prova nga ana e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim apo edhe kandidatëve të pavarur lidhur me denoncimet zgjedhore të datës 25 prill. Problematikat më të shumta të adresuara lidhen me shit-blerjen e votës, përfshirjen e administratës publike apo edhe me parregullsi me votat apo me shtrembërimin e vullnetit.

Mes kërkesave të pranuara deri më tani janë ato për rinumërim votash apo hapje kutish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore