Aplikacione

Kaliforni, Uber arrin marrëveshjen për të dhënat e abuzimeve seksuale


Në Kaliforni, kompania transportuese, Uber, ka arritur një marrëveshje me një rregullator për të zbritur në mënyrë drastike një gjobë të konsiderueshme kundër kompanisë për mos dorëzimin e të dhënave mbi incidentet e abuzimeve seksuale në platformën e saj.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se kjo ka ardhur pasi Komisioni i Shërbimeve Publike të Kalifornisë e ka gjobitur Uber-in në dhjetor të vitit 2020 me 59 milionë dollarë.

Gjithashtu rregullatori e ka kërcënuar kompaninë me pezullim të licencës së saj për të vepruar në shtet. Kjo pasi kompania nuk iu bind një kërkese për të dorëzuar të dhëna të sulmeve seksuale. Por gjoba tanimë është ulur në vetëm 150 mijë dollarë, sipas një marrëveshje të propozuar.

Kjo vlerë e zvogëluar e gjobës është pjesë e një marrëveshje më të gjerë që rezulton nga diskutime disa mujore midis Uber-it, Divizionit për Mbrojtjen dhe Zbatimin e Konsumatorit të CPUC-së dhe Rrjetit Kombëtar të Përdhunimit, Abuzimit dhe Incestit, e cila është një organizatë jofitimprurëse.

Megjithatë, marrëveshja e arritur mes tyre është në pritje të aprovimit nga një gjykatë administrative si dhe CPUC-ja.

Sipas kushteve të marrëveshjes, kompania ka rënë dakord të sigurojë të dhëna anonime mbi incidentet e sulmeve seksuale dhe t’u japë individëve që raportojnë incidente të tilla aftësinë e zgjedhjes për t’u kontaktuar nga CPUC-ja në të ardhmen.

Gjithashtu Uber-i do të hedhë më shumë para në këtë çështje, duke rënë dakord të kontribuojë me pesë milionë dollarë në Bordin e Kompensimit të Viktimave në Kaliforni, i cili ndihmon viktimat e dhunës në shtet dhe katër milionë dollarë të tjera drejt zhvillimit të përpjekjeve të industrisë.

Çka përfshin zhvillimin e praktikave më të mira për klasifikimin, raportimin dhe duke iu përgjigjur këtyre llojeve të incidenteve, por edhe kërkesat e ardhshme gjithëpërfshirëse të të dhënave që lidhen me dhunën seksuale, të cilat duhet t’i lëshohen industrisë si një e tërë, në vend të vetëm Uber-it ose ndonjë kompanie tjetër.

“Ne kemi qenë në gjendje të gjejmë një rrugëzgjidhje që ruan privatësinë e të mbijetuarve të sulmeve seksuale”, ka thënë në një deklaratë Tony West, nënkryetar i lartë dhe zyrtar kryesor ligjor në Uber.

Ai ka vijuar se “ne shpresojmë që të vazhdojmë bashkëpunimin me Komisionin për të ndriçuar një çështje mbi këtë fenomen shoqëror dhe për të ndihmuar në vendosjen e standardit”.

Megjithatë, CPUC-ja ka pohuar se komisionerët e saj ende mund ta refuzojnë zgjidhjen ose të propozojnë kushte alternative.

Për sa i përket hetimit, ai ka buruar fillimisht nga raporti i transparencës së sigurisë së Uber-it në dhjetor të vitit 2019, të cilin kompania u zotua ta nxirrte pas një hetimi të CNN mbi sulmin seksual dhe abuzimin nga shoferët e kompanisë.

Ky raport i transparencës së sigurisë, të cilin Uber-i ka thënë se planifikon ta nxjerrë çdo dy vjet, zbuloi se kompania mori gati gjashtë mijë raporte të sulmeve seksuale në 2017-n dhe 2018-n në platformën e saj.

Prej tyre, Uber-i zbuloi se 1 mijë e 243 raporte të sulmeve seksuale dhe ngacmimeve seksuale ishin në Kaliforni, ndryshe 21 për qind e ankesave të përgjithshme.

Kështu që CPUC-ja kërkonte që Uber-i të jepte më shumë detaje rreth incidenteve, duke përfshirë datën, orën dhe vendndodhjen e secilit sulm, identitetin e secilit dëshmitar dhe emrin dhe informacionin e kontaktit se kujt i raportuan ato incidente në atë kohë.

Mirëpo, Uber-i e kundërshtoi nxjerrjen e të dhënave, pasi sipas kompanisë ato mund të traumatizonin të mbijetuarit dhe e apeloi gjobën.

Edhe kompania rivale, Lyft, që në mënyrë të ngjashme premtoi të bënte një raport, ende nuk e ka bërë atë. Kur u pyet për një azhurnim mbi statusin e raportit gjatë muajit të kaluar, një zëdhënës i Lyftit pohoi se kompania ishte duke pritur që mosmarrëveshja mes Uber-it dhe CPUC-së të zgjidhej përpara se ta nxirrte atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore