Shqipëria

Pas Kadillit, Harxhi dhe Elezi dorëzojnë zyrtarisht kandidaturën për kryetar të PD-së


“Grupi për PD” paraqeti dy kandidatura për kryetar partie, Edith Harxhin dhe Ibsen Elezin. Ato e kanë dorëzuar zyrtarisht kandidaturën në Selinë e Partisë Demokratike (PD).

Harxhi në një deklaratë për mediat është shprehur se synimi i kësaj kandidature është rikthimi i idealeve në PD.

“Shpresojmë që PD të rikthehet në vlerat e konkurrencës së barabartë dhe transparencës. Ky është moment mjaft i vështirë për Shqipërisë që vjen pas humbje së zgjedhjeve. Ajo çfarë ofrojmë është reformim i thellë i PD mbi idealet”.

Ndërsa, anëtari i grupimit, Edvin Kulluri, tha se kanë dorëzuar disa kërkesa të domosdoshme, ku sipas tyre janë të nevojshme për garantimin e një gare të ndershme dhe të lirë.

Ata kanë kërkuar të rishikohet përbërja e Komisionit Zgjedhor dhe atyre në nivel dege, duke përfshirë përfaqësues të kandidatëve për Kryetar.

Gjithashtu pjesë e kërkesave është hartimi i një agjende të takimeve të përbashkëta të kandidatëve me anëtarësinë, për të shpalosur platformat politike dhe zhvillimin e debatit.

“Zyra e Organizimit dhe kryesitë e degëve të venë në funksion të kandidatëve për Kryetar të PDSH-së, infrastrukturën dhe burimet administrative për zhvillimin e takimeve të përbashkëta të sipërcituara”, shkruhet në kërkesat e tyre.

Kandidatura e Kadillit

Më herët, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, dorëzoi zyrtarisht në Selinë e Partisë Demokratike, kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se, “është një moment shumë i rëndësishëm në PD”.

“Ndihem shumë herë më superior sesa kryetari që është në zyrë. Vij në këtë garë për t’u përfaqësuar nga vlera, pastërtia, zotësia, për të qenë besnik. Jam njeriu që mban fjalën, që kam kontribuar në PD, nuk kam tradhtuar PD-në as nuk do e tradhtoj”, theksoi ai.

Pas humbjes së zgjedhjeve nga ana e Partisë Demokratike, ai ka bërë thirrje që të mblidhet Kryesia për të përcaktuar modalitetet e garës për lidershipin e ri, si dhe ka shpallur kandidimin për detyrën e kryetarit të PD-së.

“U bëj thirrje të gjithë demokratëve të mos dorëzohen. Ne jemi parti e vlerave dhe forcës; trashëgimtare e Lëvizjes së Dhjetorit, besimtare e kredos, e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Kështu është shprehur ai, pasi ka kërkuar që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të japë dorëheqjen nga roli drejtues në Partinë Demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore