Përballje

Joshua ka tre alternativa në rast se dështon meçi me Usyk-un


Anthony Joshua tashmë ka tre oferta për t’u ndeshur, në rast se meçi i shumëpritur ndaj Oleksandr Usyk do të vonohet apo nuk do të zhvillohet fare.

Usyk e mposhti Joshua-n në meçin e zhvilluar në shtator të vitit të kaluar, duke ia rrëmbyer titujt WBA, IBF dhe WBO.

Mirëpo, pas këtij meçi, dyshja kanë nënshkruar një revansh që ishte planifikuar të zhvillohej në pranverë të këtij viti.

Por, Oleksandr Usyk nuk duket i gatshëm për këtë meç, pasi që ai vendosi ta ndihmojë vendin e tij Ukrainën, duke marrë armën për t’iu bashkuar ushtrisë së tij, kundër agresionit rus.

Joshua respektoi dhe pranoi vendimin e ukrainasit, por ai tha se është i gatshëm të ndeshet me këdo, në rast se me Usyk-un nuk do të mundet.

Pas kësaj deklarate të Joshua-s, kanë ardhur tre oferta për të ndeshur me të.

Otto Wallin, i cili e shkatërroi Tyson Furi-in në vitin 2019, madje duke ia shkaktuar 47 qepje, ishte i pari që hodhi kandidaturën për t’u përballur me Joshua-n.

Wallin ka thënë për “SunSport” se nëse Joshua kërkon një boksier të ngjashëm me Usyk-un, atëherë ai do të jetë.

“Kam pasur atë luftë vërtet të mirë me Fury-n, e dërgova në spital me 47 qepje dhe ndoshta ishte lufta më e vështirë e Fury deri më tani”, tha 30 vjeçari.

“Nëse shikon Usyk-un dhe po përpiqesh të gjesh dikë që është i ngjashëm me të, padyshim që unë jam alternativa më e mirë. Jam i interesuar për luftën dhe unë dua luftën”, u shpreh Wallin.

Alternativë tjetër është edhe boksieri kubanez, Luis Ortiz, i cili është mposhtur vetëm dy herë nga Deontay Wilder.

Këtë e konfirmoi menaxheri i Ortiz, Jay Jimenez, i cili tha “Luis do të donte dhe është i gatshëm për një përballje me Joshua-n”.

Alternativë tjetër, si dhe karakteristike është ish-partneri i Joshua-s në ‘Team GB’, Joe Joyce.

Joyce shkroi në Twitter: “Dy luanë GB në një përballje britanike të peshave të rënda! Kjo luftë do të ishte masive. Le ta bëjmë”.

Joshua tashmë ka një fitore ndaj Joyce kur ishin amatorë. Ai e mposhti që në raundin e parë dhe tha se do ta bënte përsëri, pasi dëgjoi se Joyce është i gatshëm për meç.

“Unë boksova me Joe dhe e ndalova në raundin e parë. Do të bëja të njëjtën gjë sot. Nuk ka ndryshuar asgjë”, ka thënë Joshua.

Pra, mbetet për t’u parë se do ta zhvillojë Anthony Joshua ndonjë meç me njërin prej tre kandidatëve të lartcekur, apo do të zhvillohet revanshi i shumë pritur mes tij edhe Usyk-ut.

Kjo gjë do të ndërlidhet edhe me luftën në Ukrainë. Pra nëse lufta përfundon dhe Usyk do t’i kthehet jetës normale, ai do të vazhdojë përgatitjet që la të gjysmë për t’iu bashkuar vendit të tij që po ndodhet në luftë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore