Përballje

Robin Haxhi Krasniqit “fiton” meçin kundër Najdib Mohammedi


Me diskualifim ka përfunduar meçi në mes të Robin Haxhi Krasniqit dhe kundërshtarit Najdib Mohammedi në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në një event të organizuar dobët dhe ku Krasniqi nuk po përformonte më së miri, Mohammedi u diskualifikua për shkak të goditjeve të palejuara prapa kokës.

Kjo ishte hera e pare që Krasniqi u ndesh në Kosovë.

Eventi ishte organizuar tash e një vit, por as realizimi teknik e as meçet nuk kanë qenë në nivelin e pritjeve.

Sipas njoftuesit zyrtar, derisa zgjati ndeshja Krasniqi po fitonte edhe me pikë, por nga sa u pa gjatë meçit, bokseri më aktiv ishte Mohammedi e po ashtu më i dëmtuar në fytyrë dukej Krasniqi.

“Së pari e falënderoj zotin që m’ka zgjedh të jem ky person që jam dhe t’iu jap emocione. Ju falënderoj shumë për mbështetjen, unë premtimin e mbajta, këtë ëndërr e kam pas të boksoj në Prishtinë”, tha Krasniqi kur mori mikrofonin pas fitores.

Krasniqi më pas edhe ka kënduar një këngë patriotike.

“Jem Ilira, jem Teuta, jem të rritur nëpër luftëra…”.

Ndërsa boksieri Mohammedi ishte fare i shkurtër pas ndeshjes.

Ai fillimisht falënderoj Kosovën dhe “kosovarët që më pranuan”.

“Faleminderit Krasniqit dhe më vjen keq që kjo ndeshje nuk u krye si duhet, nuk është mirë asnjëherë të përfundojë ndeshja kështu. Do të kthehem për t’u ndeshur sërish”, përfundoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore