Kosova

Jevtiç: Serbët mund të largohen nga institucionet edhe në Jug


Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç, ka thënë se ekziston mundësia që edhe serbët në jug të Mitrovicës të largohen nga institucionet e Kosovës.

Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i interpreton ligjet në atë mënyrë që i përshtatet dhe se ligjet e vlefshme për të drejtat e komuniteteve serbe dhe të komuniteteve tjera joshumicë “nuk respektohen në Kosovë”.

“Sa na përket ne në jug të Ibrit, mendoj se jemi afër atyre vijave të kuqe. Vendimi i fundit, injorimi i plotë i së drejtës kushtetuese që garanton përfaqësimin e serbëve në institucionet në nivelin qendror të qeverisë, kjo na ka vënë në një pozitë ku nuk jemi larg vendimit që ne në jug të Ibrit, të largohemi nga institucionet e Kosovës”, tha Jevtiç për Tanjug.

“Nuk ka kuptim të jemi në institucione nëse nuk mund të sigurojnë të drejtat themelore të njeriut”.

Po ashtu Jevtiç shtoi se serbët janë të zhgënjyer për shkak të heshtjes së bashkësisë ndërkombëtare për gjithçka që po bën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Heshtja është shenjë miratimi dhe në një situatë të tillë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të largohemi nga institucionet dhe të mos jemi pjesë e asaj që po bën Kurti”.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin rritur prej se Qeveria e Kosovës kishte nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.

Gjendja u përkeqësua kur Lista Serbe vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori, Policia, Dogana

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore