Lajme

Italia mbështet rrugën evropiane të Kosovës


Ilustrim

Ambasada e Italisë në Prishtinë, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, tha se e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE), ndërsa vendi shënon Ditën e Evropës në njohje të paqes, prosperitetit dhe unitetit të arritur brenda kontinentit që nga ngritja e familjes evropiane.

“Gëzuar Ditën e Evropës nga Prishtina. Italia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt familjes së BE-së”, shkroi ambasada italiane për nder të Ditës së Evropës që festohet çdo 9 maj në të gjithë BE-në, ndërsa në Kosovë është festë zyrtare.

Kosova dorëzoi dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku ende s’ka marrë ndonjë vendim se si do të procedohet tutje. Dhe arsye për këtë janë tensionet e vazhdueshme midis Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht, vendi i vogël ballkanik mbetet shumë larg integrimit evropian, posaçërisht sa i përket hapave formalë të procesit të zgjerimit.

Gjithashtu, pesë vende anëtare brenda BE-së – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Përndryshe, përveç mungesës së njohjeve, vendi ndodhet edhe nën sanksionet e BE-së, kryesisht për shkak të degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik rreth veriut të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore