Shqipëria

Ismaili: Po punojmë për identifikimin e rasteve të ngjashme me gjyqtaren Hoxha


Drejtori i Përgjithshëm i burgjeve, Agim Ismaili në një intervistë për Report Tv është shprehur se lirimi me kusht i të dënuarve bëhet sipas ligjit dhe jo përmes presioneve dhe ryshfeteve.

Ai tha se nuk është vetëm gjyqtarja Enkeleda Hoxha që ka shkelur ligjin. Po punohet me Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë për identifikimin e rasteve të ngjashme.

“Nuk jemi kundër lirimit me kusht ne punojmë që sa më shumë të burgosur ta përfitojnë këtë drejtë, por jo me presion apo ryshfet apo në mënyrë abuzive. Ka probleme të tilla, janë hasur edhe në Gjykata të tjera, jo vetëm të Fushë Krujës”.

Ai theksoi se janë shumë të vendosur për të identifikuar edhe rastet që nuk janë në vëmendje të mediave.

Arrestimi i gjyqtares

Në kuadër të operacionit të Prokurisë së Posaçme (SPAK) është vënë në pranga gjyqtarja Enkelejda Hoxha në Gjykatën e Krujës. Kjo e fundit ishte në një seancë gjyqësore për lirimin e një të dënuari tjetër.

Mësohet se gjyqtarja Hoxha do të lironte nga burgu shtetasin me iniciale S.P, i arrestuar për vrasje. Ky person rezulton i ekstraduar nga Italia për ekzekutimin e shtetasit R.B, disa vite më parë.

Operacioni është kryer ditën e enjte më 11 shkurt, rreth orës 09:00. Hetimi i drejtuar nga prokurori A.D, ka nisur prej disa muajsh dhe përmban prova, filmime dhe përgjime, ku inkriminohen të arrestuarit.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore