Shqipëria

Ishte 20 shkurti i vitit 1991 kur…


Në zemër të kryeqytetit. Aty qëndronte busti i bronztë i diktatorit Enver Hoxha.

Qëndronte si simbol i komunizmit.

Por 20 shkurti i vitit 1991 u kthye në të fundit ditë të qëndrimit të tij. Mbështetësit e demokracisë e rrëzuan në zhurmë dhe pluhur.

Prej dëshmitarëve, asokohe u përfol se numëroheshin afro pesë mijë demonstrues që kërkonin largimin e udhëheqjes komuniste.

Ata ishin mbledhur pranë shtatores së Hoxhës, e cila ishte e rrethuar nga rreth 500 oficerë policie.

Paçka se në fillim policia qëllonte të shtëna paralajmëruese dhe hidhte tymues, disa oficerë shpejt filluan të përqafonin demonstruesit dhe i lejuan ata të lëviznin në bazën e betonit të bustit.

Disa demonstrues e tërhoqën atë me litar për gati një orë përpara se të rrëzohej dhe më pas, e tërhoqën me kamionë në kampusin universitar të Tiranës.

E gjitha, pak muaj pasi regjimi i vjetër në ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.

Demonstruesit ishin mbledhur për të ngritur një grevë të përgjithshme dhe për t’iu bashkuar rreth 700 studentëve dhe pedagogëve në një grevë urie te universiteti.

Kërkonin përmirësimin e kushteve të jetesës dhe studimit, si dhe heqjen e emrit të Hoxhës nga universiteti.

Revolta popullore kishte kohë që kishte nisur. Që në muajin dhjetor studentët kishin ndërmarrë protesta, të cilat u shpërndanë në çdo qytet.

Po ashtu, protesta universitare kishte marrë jetë 15 ditë përpara me bojkot të mësimit.

Situata politike ishte e rënduar. Para dy muajsh ishte themeluar Partia Demokratike dhe ishte shpallur dita e zgjedhjeve të para pluraliste në vend më 31 mars 1991.

Ai 20 shkurt, tanimë njihet si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist dhe shënon fundit e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore