Shqipëria

Intervista për “La Repubblica”, Edi Rama dhe mirëorganizimi i të majtës moderne


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për prestigjiozen italiane “La Repubblica” të shtunën e 1 majit. Ai foli për të ardhmen e vendit dhe vijimin e qeverisjes për një mandat të tretë.

Sipas gazetës, sheshet e ndërtimit janë gati për infrastruktura të mëdha, me grupe nga e gjithë bota, nga Emiratet në Zvicër, nga Shtetet e Bashkuara në Francë.

La Repubblica shton se Shqipëria do të ndryshojë dhe sapo i ka dorëzuar çelësat qeverisë. Mandati i tretë radhazi, thekson ajo, nga ku Partia e tij Socialiste fitoi 74 ulëse nga 140 në Kuvend.

Italia, thotë Rama, “është partneri ynë kryesor, por unë do të doja të shihja më shumë investime në sasi dhe mbi të gjitha në cilësi”.

“La Repubblica” shkruan se mandatimi i Ramës erdhi pas një fitoreje bindëse mbi opozitën.

 

A do të qeverisë ai me mbështetjen e socialdemokratëve të Tom Doshit, të regjistruar në listën e zezë të SHBA-ve për korrupsion?

“Herën e tretë ishte më e vështira”, deklaron Rama, “por është edhe më e bukura”.

Ai deklaron se PS-ja ka fituar me një shumicë absolute, kështu që nuk ekziston nevoja për mbështetje, duke replikuar për figurën e Tom Doshit. Rama u shpreh se këtë herë Shqipëria votoi me një sistem të ri zgjedhor me lista dhe preferenca gjysmë të hapura, dhe kishte shumë vota të pavlefshme.

“Shumë njerëz nuk kuptuan se si të votonin, ata na zgjodhën ne si parti, por u dhanë përparësi kandidatëve të tjerë dhe votimi u anulua”.

Opozita ju akuzon për mashtrim dhe blerje dhe shitje të votave?

Kryeministri Rama tha se këtë herë janë bërë katër ose pesë sondazhe dhe, ndryshe nga e kaluara, sipas tij, të gjitha janë në përputhje me rezultatin.

“Piepoli e kuptoi mirë, dhe anketuesit grekë që punuan për Euronews Albania gjithashtu parashikuan rezultatin.

Sakaq, ai solli në vëmendje se raporti paraprak i OSBE-së është pozitiv dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare, përmes përfaqësimeve të ndryshme, ka ndjekur dhe konfirmuar rregullsinë e zgjedhjeve.

Referuar opozitës, kryeministri tha se “fatkeqësisht ajo nuk është në gjendje të dalë nga kjo pozitë, e cila bën që ata të humbin një zgjedhje pas tjetrës. Kjo ishte e pesta me radhë dhe ata ende nuk arsyetojnë”.

Ai u shpreh se “në vend që të reflektojnë mbi veten e tyre, ata përqendrohen në konfrontim dhe akuza kundër nesh. Dhe unë përsëri fal”.

Sipas tij, këto zgjedhje japin një mesazh, “kur e majta moderne është e organizuar mirë, është po aq e pamposhtur sa Interi i Mourinhos”.

Korrupsioni vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë. Transparency International thotë në një raport se situata po përkeqësohet: pse?

Kryeministri u shpreh se ai gjithmonë i pranon këto raporte, edhe pse kujton se me Trasparency International ne jemi ngritur në pozita më të mira gjatë viteve.

“Ky këtu është raporti i fundit në rënie që nuk besoj, dhe e them me arsye: i vetmi ndryshim midis së djeshmes dhe së tashmes është avancimi i reformës në drejtësi.

Sipas tij, BE-ja, OECD-ja dhe OKB-ja na kanë njohur si një vend në radhë të parë për qeverisjen digjitale dhe shërbimet e administratës publike të digjitalizuara kanë vepruar shumë pozitivisht në luftën kundër korrupsionit të vogël”.

Sa i takon Vetting-ut, Rama garantoi se ai vazhdon.

“Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë të dyja funksionale, por sigurisht që janë krijuar boshllëqe, sepse Vettingu pastron: nuk mund të operosh një atlet dhe t’i kërkosh të garojë në të njëjtën kohë. Së pari, operacioni, pastaj vrapimi”.

Pse procesi i pranimit është ende i bllokuar në rrezik?

Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh se hyrja në BE varet gjithnjë e më pak nga ne dhe gjithnjë e më shumë nga ata.

“Ne kemi bërë detyrat e shtëpisë. Nëse Komisioni i BE-së thotë, për herë të pestë, që është gati të hedhë një hap dhe hapi nuk merret në Këshillin Evropian, është e qartë se është një zgjedhje politike. BE-ja po jeton një situatë pakënaqësie: pas krizës së madhe të refugjatëve nuk është rikuperuar kurrë, ajo ka humbur qëndrueshmërinë me vlerat e saj”.

Rama shpjegoi se “BE-ja nuk është më kohezive, anëtarët e saj nuk ecin më në të njëjtin drejtim me lehtësi, ka gjithmonë vështirësi të mëdha në marrjen e vendimeve të përbashkëta. Thjesht shikoni se çfarë ndodhi me vaksinat: ato janë çështje jetë a vdekje, por BE-ja ka shkaktuar kaos të tmerrshëm”.

Përshtatur nga La Repubblica për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore