Aplikacione

Indi/ WhatsApp-i pritet të dyfishojë përdoruesit në shërbimin e pagesave


Platforma e shkëmbimit të mesazheve, WhatsApp, ka fituar miratimin rregullator për të dyfishuar numrin e përdoruesve në shërbimin e saj të pagesave në Indi.

Sipas një burimi me njohuri të drejtpërdrejta mbi çështjen, i cili ka treguar për agjencinë e lajmeve “Reuters”, dyfishimi i përdoruesve do ta çojë numrin e tyre total në 40 milionë.

Lëvizja e rregullatorit vjen pasi kompania ka kërkuar që të mos ketë kufi për përdoruesit e shërbimit të saj të pagesave në Indi.

Kështu që, këtë javë, Korporata Kombëtare e Pagesave të Indisë (NPCI) ka njoftuar kompaninë se mund të dyfishonte bazën e përdoruesve, të cilëve mund t’ju ofrojë shërbimin e vet të pagesave.

Momentalisht, ky shërbim i platformës në pronësi të Facebook-ut (i emëruar së fundmi si Meta), ka qenë i kufizuar në vetëm në 20 milionë përdorues, ka dalluar burimi për “Reuters”.

Referuar atij, kufiri i ri do të vazhdojë të pengojë perspektivat e rritjes së kompanisë, duke pasur parasysh se shërbimi i mesazheve ka më shumë se 500 milionë përdorues në Indi, i cili është edhe tregu më i madh i kompanisë.

Nga ana tjetër, ende nuk është e qartë se kur do të hyjë në fuqi kufiri i ri.

Në tregun e Indisë, WhatsApp-i konkurron me Google Pay të Alphabet-it, Paytm-in të mbështetur nga SoftBank dhe Ant Group dhe PhonePe-n nga Walmart.

Vitin e kaluar, NPCI-ja i dha miratimin platformës për të filluar shërbimin e pagesave pasi kompania kaloi vite duke u përpjekur të pajtohej me rregulloret indianë, duke përfshirë normat e ruajtjes së të dhënave që kërkojnë që të gjitha të dhënat e lidhura me pagesat të ruhen në nivel lokal.

Burimi i “Reuters”-it ka veçuar se WhatsApp-i, pas kësaj, ka arritur të rrisë bazën e vet të përdoruesve për shërbimet e pagesave në rreth 20 milionë.

Në Indi, transaksionet në internet, huadhëniet dhe shërbimet e portofolit elektronik janë rritur me shpejtësi.

Kjo rritje është udhëhequr nga një nxitje e qeverisë për t’i bërë tregtarët dhe konsumatorët që duan para në vend, të miratojnë pagesa digjitale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore