Kosova

IKSHPK thirrje për respektim të masave: Ka rritje të rasteve në Evropë dhe variantet e Omicronit po vazhdojnë të përhapën


Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka kërkuar nga qytetarët që t’i bartin maskat dhe të vaksinohen, pasi sipas tyre dy variantet e Omicronit po vazhdojnë të përhapen me pasoja të rëndë për shëndetin e qytetarëve dhe me raste fatale.

“Situata epidemiologjike akoma është e rëndë, e javët e fundit me rritje të rasteve në Evropë dhe në botë, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, IKSHPK ka thënë se ka pasur rritje të rasteve në Evropë dhe në botë.

“Të gjitha të dhënat nga vendet tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se dy variantet e Omicron mund të shkaktojnë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pavaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese. Andaj, Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin dhe rastet e rënda klinike”.

Klinika Infektive.

“Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19 dhe parandalimin e valës së re”.

Më 22 mars, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar se brenda 24 orëve, janë regjistruar 41 raste të reja me COVID-19 dhe tre vdekje.

Numri i të infektuarve vjen nga 940 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 29 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore