Vende

Iballa, fshati që fsheh shumë histori në Shqipëri


Shqipëria fsheh shumë histori dhe bukuri natyrore brenda saj. I tillë është dhe fshati Iballë, i ndodhur në veri-lindje të qytetit të Pukës, i pasur me male të larta që i japin formën e një amfiteatri gjigant natyror.

Iballa është e banuar mijëra vite para Krishtit, duke e bërë kështu ndër vendet më të lashta. E pozicionuar rreth 36 km nga Fushë Arrëzi, fshati ka një histori të pasur nga antikiteti deri në kohët moderne duke shërbyer si një qendër e rëndësishme ekonomike, politike, arsimore dhe religjioze për të gjithë zonën e veriut. Në këtë zonë mendohet se kanë jetuar Pirusët, fise iliri të cilët përveç se kanë pasur kalanë e tyre janë marrë edhe me shkrirjen e metalit.

Përmes fshatit kalon një lumë i cili i shton bukurinë peizazhit por edhe ndihmon në ujitjen e tokave bujqësore.

Ajo për çka njihet ky vend është se konsiderohet nismëtarja e arsimit në Pukë, pasi aty u hap shkolla e parë shqipe në veri, në vitin 1903 nga, Imzot Lazër Mjeda, vëllai i Ndre Mjedës, me mbështetjen Austro-Hungareze. Kjo shkollë e kthyeu zonën në simbol të dijes dhe kulturës kombëtare.

Iballa gjithashtu njihet edhe për bashkëjetesën e besimeve fetare, si edhe për objektet e vjetra të kultit të cilat i kanë rezistuar kohës, siç është edhe kisha e Shën Gjergjit, e cila ka ekzistuar përpara vitit 1703. Me kalimin e vite ajo ka pasur funksione të ndryshme, sot ajo është ri konstruktuar dhe ka marrë tjetër pamje. Të vetmet gjurmë të kalasë së Iballës gjendet sot në kapelën e Shën Sebastianit e njohur ndryshe si Kisha e Thaçit.

Natyra është ajo që bën diferencën me shumë zona tjera. Maja e malit të Balës, nga ku mendohet se ka marrë edhe emrin fshati, mund të shikohen  bukuritë mahnitëse të zonës e cila shoqërohet nga vargmale, lugina dhe kroje të pafundme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore