Lajme

Hoti krahason Qeverinë Mustafa me Qeverinë Kurti: Investimet kapitale dukshëm më të ulëta se në vitin 2017


Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ka krahasuar Qeverinë e Kosovës e udhëhequr asokohe nga kryeministri, Isa Mustafa dhe Qeverinë aktuale të Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, në raport me investimet kapitale në nivel qendrore.

“Në 2017, në Qeverinë Mustafa, kur buxheti i Kosovës ishte 1.8 miliardë euro, investimet kapitale të nivelit qendror ishin 350 milionë euro, që është 19% e buxhetit”, ka thënë fillimisht ai

“Në vitin 2023, pas 6 vitesh, kur buxheti ishte 3 miliardë euro, investimet kapitale të nivelit qendror ishin 349 milion euro, që është vetëm 12% e buxhetit”, ka potencuar Hoti.

Për më tepër, sipas tij, inflacioni gjatë këtyre viteve marrë së bashku ka qenë 23%, që nënkupton se vlera reale e investime të vitit 2023 është dukshëm më e ulët se në vitin 2017.

“Kjo nuk sjell zhvillim. Kjo tregon mungesën e kompetencës për të qeverisur. Qeverisjes së vendit i duhet njerëz kompetentë që fokusohen në detyrat që kanë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore