Bota

Holandë/ Gjykata detyron Shell të ulë emetimet e karbonit


Drejtori i Milieudefensie, Donald Pols, duke mbajtur një kopje të verdiktit pёr çështjen gjyqësore të Milieudefensie-krahu Holandez i organizatës mjedisore Miqtë e Tokës-kundër Shell në Hagë, Holandë, 26 maj 2021

Një gjykatë në Holandë ka vendosur se gjigandi i naftës Shell duhet të zvogëlojë emetimet e tij.

Deri në vitin 2030, Shell duhet të ulë emetimet e saj të dyoksidit tё karbonit me 45%, nё pёrputhje me nivelet e vitit 2019.

Kjo është hera e parë që një kompani detyrohet ligjërisht të harmonizojë politikat e saj me Marrëveshjet e Klimës në Paris, thanë shoqata ambientaliste Miqtë e Tokës (FoE).

Grupimi e çoi çështjen në gjykatë në vitin 2019. Së bashku me të u përfshinë gjashtë trupa të tjerë dhe me më shumë se 17 mijё qytetarë holandezë.

Megjithëse vendimi zbatohet vetëm në Holandë, efektet e tij mund të shtrihen mё gjerё, sipas FoE.

“Ky është me të vërtetë një lajm i shkëlqyeshëm dhe një fitore gjigande për tokën, fëmijët tanë dhe për të gjithë ne”, deklaroi drejtori i FoE, Donald Pols.

Marrëveshja e Parisit

Sipas kushteve të Marrëveshjes së Parisit për ndryshimin e klimës, gati 200 kombe ranë dakord të mbajnë temperaturat globale “shumë më poshtë” se 2C mbi nivelet para-industriale.

Traktati hyri në fuqi më 4 nëntor 2016. Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nën ish-Presidentin Donald Trump, por që atëherë u bashkuan sërish nën presidentin Joe Biden.

Shoqata tё shumta në të gjithë botën po përpiqen të detyrojnë kompanitë dhe qeveritë të respektojnë marrëveshjet përmes gjykatave.

Shell ka thënë më parë se dëshiron zero emisione neto për vete deri në vitin 2050.

Në dhjetor, avokatët e saj tё mbrojtës thanë se kompania kishte ndërmarrë “hapa seriozë” për tё eliminuar lëndët djegëse fosile. Ata u shprehёn gjithashtu se asnjë bazë ligjore nuk ekzistonte për çështjen.

Royal Dutch Shell është një kompani shumëkombëshe Britaniko-Holandeze. Për shkak se selia e saj është në Hagë, FoE ishte në gjendje të paraqesë çështjen në një gjykatë Holandeze.

Në fillim të këtij viti, një gjykatë tjetër holandeze, vendosi se Shell ishte përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga rrjedhjet e naftës në Deltën e Nigerisë. Gjykata urdhëroi kompaninë të paguante kompensim për fermerët.

Shell, megjithatë, ka thënë se rrjedhjet ishin rezultat i “sabotimit”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore