Lajme

Historiani serb: Sulmi i Vuçiç-it në Veri të Kosovës është një kopje e pushtimit të Putinit në Ukrainë


Nikolla Samarxhiç

Historiani serb, njëherit profesor në Fakultetin Filozofik në Beograd, Nikolla Samarxhiç, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me sloganin e tij “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, “la të kuptohet për vendimet e ndërrmara nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në Ukrainë në vitin 2014”, me aneksimin e Krimnesë.

Këto komente Samarxhiç i bëri në një intervistë për median malazeze “Pobjeda”, duke folur për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit, për të cilin theksoi se nuk është ende i qartë qëllimi i tij.

“Nuk është mjaft e qartë nëse ata kishin për qëllim likuidimin e pelegrinëve nga Novi Sadi, për të akuzuar palën kosovare apo për të siguruar kalimin e forcave që ishin të përqendruara rreth kufirit”, theksoi ai.

“Më lejoni t’ju kujtoj gjithashtu se projekti i Vuçiç-it ‘Ballkani i Hapur’ nënkuptonte një lloj ndarje të Kosovës. Kur u prish, ai i bëri thirrje NATO-s, në fakt KFOR-it, që të merrte të gjithë kontrollin në mënyrë që autoritetet në Prishtinë të mos e bënin këtë. Për të, ajo ide e pakuptimtë e Dobrica Çosiç-it është më e rëndësishme se jetët njerëzore – nuk ka rëndësi kush do ta realizojë atë”, shtoi.

Megjithatë, pohon ai, realiteti shkoi më tej se “iluzionet” e Vuçiç-it”, pasi që vlerëson se ajo politikë “u mposht pavarësisht nga përkrahja e diplomatëve të korruptuar evropianë dhe amerikanë dhe pavarësisht nga mbështetja e Rusisë”.

Sa i përket përfshirjes së mundshme ruse në sulmin terrorist, historiani serb, pohon se këto teza kanë pasur edhe “rolin e heqjes së përgjegjësisë” së Vuçiç-it në këtë ngjarje.

Putin: Rusija spremna da podrži kompromis Beograda i Prištine
Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin

“Krahasuar me agresionin rus në Krime dhe Donbas, aksioni në Veri të Kosovës ishte i ngathët dhe amator”.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore