Sport

Historia e panjohur e Kasparov, djaloshit nga Baku që u shndërrua në gjeniun e shahut botëror


Geri Kasparov

“Hejdar Aljev-it nuk i interesonte që unë isha armen. Ajo që kishte rëndësi, ishte që unë kisha lindur në Baku. Pa mbështetjen e tij unë do të isha nxjerrë nga gara”. Kampioni botëror i shahut, Geri Kasparov, e di shumë mirë që gjenialitei i tij përpara kutisë së shahut nuk do të kishte mjaftuar kurrë në rast se nuk do t’i ishte dhënë një dorë nga ish-presidenti i Republikës Sovjetike te Azerbajxhanit dhe më vonë i Republikës së Azerbajxhanit.

Me Kremlinin që mbështeste mjeshtrin e saj të shahut, Anatoli Karpov, Aliev do të niste një luftë me Moskën për të promovuar djaloshin e talentuar nga Azerbajxhani, i cili vetëm shumë vite më vonë, pasi ishte shndërruar në ikonën e shahut botëror, tregoi sesi një turne në Banja Luka të Jugosllavisë në prill 1979 i kishte ndryshuar përfundimisht jetën.

Ai ishte 16 vjeç atëherë, kur mjeshtrit të panjohur iu lejua të merrte pjesë në turneun ku 14 prej 16 pjesëmarrësve ishin mjeshtra të mëdhenj. Por Kasparov u rendit i pari, pa asnjë humbje, duke siguruar një fitore të përgjithshme me dy raunde përpara fundit.

Banja Luka shënoi fitoren e tij të parë mes mjeshtërve të mëdhenj, duke i sjellë vlerësimin e parë ndërkombëtar të tijin.

Emri i tij bëri jehonë në Bashkimin Sovjetik dhe pas rikthimit, Kasparov tregon: “Ishte krejt një situatë tjetër. Unë dhe nëna ime vizituam Aljev-in. Ai shikonte perspektivën. Nuk e kishte problem që unë isha armen, rëndësi kishte që unë kisha lindur në Baku”.

“Mund të më kishin nxjerrë nga gara shumë herë, apo të më kishin privuar mundësitë për të vazhduar karrierën, por pritja e Aljev-it më garantoi të kisha mbështetje nga brenda. Ata ndërtuan një bazë për mua në Zagulba (zonë turistike bregdetare në periferi të Bakusë). Ishte viti 1980. Me porosi të tij na u sigurua edhe një apartament”, tregon ai.

U deshën shumë vite më pas që Kasparov të tregonte sesi ia doli: “E gjithë ndihma e Aljev-it nga 1979-1985 ishte si një mburojë mbrojtëse. Sistemi Sovjetik nuk kishte interes ta zëvendësonte kampionin rus me një gjak të përzierë (armeno-hebre) nga Baku. Prandaj ndihma e Aljev-it ishte e rëndësishme, sepse mu siguruan kushtet stërvitore dhe Hejdar Aljev ishte mbrojtësi im”, kujton Kasparov për ish-presidentin e Azerbajxhanit, që nuk e mbështeti vetëm si sportist, por ishte edhe një figurë atërore për djaloshin e talentuar.

Geri e humbi të atin kur ishte 7 vjeç.

Bashkimi Sovjetik kishte një sistem shumë të fortë mbështetjeje për edukimin e sportit të shahut, diçka që vazhdoi edhe në shtetet pas shpërbërjes.

Shkolla e shahut të Bakusë ishte dhe mbetet një nga kryesoret në mbarë botën me një sërë kampionësh të turneve të ndryshëm. Gjatë kampionatit të fundit evropian të femrave në Greqi, shahistja azerbajxhanase, Ulvija Fatalijeva, fitoi medaljen e artë dhe 5 nga 20 më të mirat e turneut ishin nga Azerbajxhani.

Kështu, prindërit e Gerit vendosën ta regjistrojnë atë në Pallatin e Pionierëve “Juri Gagarin” në Baku. Në qershor 1972, edhe pse nuk arrinte gjatësinë për t’u ulur në tavolinën e shahut, 9-vjeçari Kasparov arriti finalet e një kompeticioni të rriturish duke marrë nofkën “fëmija çudibërës nga Baku” nga gazeta gjermano-lindore “Neues Deutschland”.

Ai u bë kampioni i padiskutueshëm më i ri i botës në 1985, kur ishte vetëm 22 vjeç dhe mposhti atëherë kampionin Anatoli Karpov duke e mbrojtur titullin kundër rivalit të tij rus tre herë: në 1986, 1987 dhe 1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore