Lajme

Haziri për Planin 5-pikësh të Kurtit: Kërkesat e Perëndimit po i shndërron në plane, situata po shkon nga de-eskalimi në eskalim


Lutfi Haziri

“Nuk është hera e parë, (Albin) Kurti çdo kërkesë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i shndërron në plan”, ka thënë në një prononcim për Albanian Post nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, duke komentuar planin pesë pikësh që këtë të marte kryeministri Albin Kurti e prezantoi për de-eskalimin e situatës në Veri pas tensioneve të krijuara atje.

Për ta argumentuar këtë, Haziri përmendi një rast të ngjashëm që kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar ku ishin krijuar tensione pasi që Qeveria e Kosovës kërkonte që t’i regjistronte veturat e serbëve me targa RKS, duke tentuar t’i largojë nga qarkullimi ato ilegalet “KM”.

“Ju kujtohet plani trehapësh për regjistrimin e veturave. Plani për de-eskalim po përgjigjet me plan të ri, pra është në kuadër të asaj që njihet tash si veprim i Kurtit”, theksoi ai.

“Tani sa do të arrijë që ta mbajë këtë plan, që po lexohet si kushte – a kushte në dialog nuk ka. Kushtet për de-eskalim dhe kushtet për normalizim në procesin e dialogut nuk ka, por Kurti po e quan plan, tani të shohim se si do të lexohet plani i tij për de-eskalim”, shtoi ai.

Përkundër se janë prezantuar plane për de-eskalim të situatës si nga ndërkombëtarët, po ashtu edhe nga vetë kreu i ekzekutivit kosovar, Haziri vlerëson se situata në Veri po eskalon përsëri pas arrestimit nga Policia e Kosovës të drejtuesit të grupit kriminal “Mbrojtjes Civile”, Milun Milenkoviç, i njohur si “Llune”.

“Me sa shihet situata pasdite ka eskaluar prapë pas arrestimit të një nga të kërkuarit sipas listës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilin e ka lexuar Kurti në seancë para deputetëve, atëherë nuk po flasim për de-eskalim, po flasim për eskalim”, ka potencuar ai.

Për këtë situatë, nënkryetari i LDK-së beson se është vazhdimësi e krizës së krijuar dhe siç thotë ai “natyrisht që politika e ndëshkimit që po përmendet do të jetë pjesë e angazhimit të faktorit ndërkombëtar”, duke shtuar se kjo po ndodh “fatkeqësisht karshi Kosovës”.

Ndryshe, 12 ditë pasi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, doli me tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka ofruar si përgjigje pesë kërkesa të tij të cilat nuk janë të njëjta me ato të Borrell-it.

Derisa Borrell përmes një cicërime në Twitter tha se komuniteti ndërkombëtar pret “Zgjedhjet të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, Kurti ka deklaruar se s’bëhet asnjë nga këto, derisa të mos funksionoi fillimisht rendi dhe ligji në Veri të vendit.

Të përmbledhura pesë pikat e Kurtit janë që “Të sundojë ligji në Veri, të bëhet identifikimi dhe ndjekja penale e anëtarëve të bandave kriminale, këto grupe të tërhiqen nga Veriu, të bëhet sigurimi i terrenit bashkë me policinë, KFOR-in dhe EULEX-in dhe në fund të shapllet data e zgjedhjeve”.

“Kjo është oferta ime, unë pres përgjigje”, tha Kurti, duke deklaruar gjithashtu se do të donte takim gjatë kësaj jave në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Kjo konferencë e kryeministrit të Kosovës erdhi pas takimit me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë dhe Francës dhe pas telefonatës me Josep Borrell, prandaj tashmë është e qartë se Kosova nuk e ka ndërmend të zbatojë atë që i është kërkuar nga ndërkombëtarët.

Nëse perëndimi nuk heq dorë nga kërkesat e veta, për këto të Kurtit atëherë do të kalohet në atë që ka paralajmëruar Borrell në Twitt-in e tij se “do të kenë pasoja serioze në marrëdhëniet tona me Kosovën”.

Kuri në fakt u pyet nga gazetarët për raportimin e Albanian Post rreth sanksioneve që mund të pasojnë për të, qeverinë e tij dhe Kosovën, por ai ka refuzuar të përgjigjet.

Kurti refuzon pikat e Bashkësisë Ndërkombëtare, i prezanton të vetat – për sanksione s’përgjigjet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore