Lajme

Kurti refuzon pikat e Bashkësisë Ndërkombëtare, i prezanton të vetat – për sanksione s’përgjigjet


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

12 ditë pasi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, doli me tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka ofruar si përgjigje pesë kërkesa të tij të cilat nuk janë të njëjta me ato të Borrell-it.

Derisa Borrell përmes një cicërime në Twitter tha se komuniteti ndërkombëtar pret “Zgjedhjet të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, Kurti ka deklaruar se s’bëhet asnjë nga këto, derisa të mos funksionoi fillimisht rendi dhe ligji në Veri të vendit.

Të përmbledhura pesë pikat e Kurtit janë që “Të sundojë ligji në Veri, të bëhet identifikimi dhe ndjekja penale e anëtarëve të bandave kriminale, këto grupe të tërhiqen nga Veriu, të bëhet sigurimi i terrenit bashkë me policinë, KFOR-in dhe EULEX-in dhe në fund të shapllet data e zgjedhjeve”.

“Kjo është oferta ime, unë pres përgjigje”, tha Kurti, duke deklaruar gjithashtu se do të donte takim gjatë kësaj jave në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Kjo konferencë e kryeministrit të Kosovës erdhi pas takimit me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë dhe Francës dhe pas telefonatës me Josep Borrell, prandaj tashmë është e qartë se Kosova nuk e ka ndërmend të zbatojë atë që i është kërkuar nga ndërkombëtarët.

Nëse perëndimi nuk heq dorë nga kërkesat e veta, për këto të Kurtit atëherë do të kalohet në atë që ka paralajmëruar Borrell në Twitt-in e tij se “do të kenë pasoja serioze në marrëdhëniet tona me Kosovën”.

Kuri në fakt u pyet nga gazetarët për raportimin e Albanian Post rreth sanksioneve që mund të pasojnë për të, qeverinë e tij dhe Kosovën, por ai ka refuzuar të përgjigjet.

Albanian Post, të martën, bazuar në informacionet e burimeve diplomatike të përfshira thellë në procesin e dialogut, raportoi se sanksionet për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nga komuniteti ndërkombëtar mund të fillojnë qysh nga kjo javë, meqë qeveria po refuzon në mënyrë kategorike të rreshtohet me partnerët ndërkombëtarë sa i takon çështjes në Veri të Kosovës.

“Pika ku të gjithë në komunitetin perëndimor pajtohen është që, nëse nuk reflekton, Kurti duhet izoluar!”, ka thënë burimi për AP-në.

“Ky është një proces që tashmë ka nisur. Me shumë gjasë brenda pak javësh aktiviteti i vetëm ndërkombëtar i Kurtit do të jetë pjesëmarrja në tryeza të organizuara nga OJQ evropiane, edhe pse edhe kjo do të reduktohet dukshëm”, thotë burimi.

“Aktivitetet tij të vetme ndërkombëtare do të jenë vetëm ato drejt Brukselit, për çështje të dialogut, apo në Berlin dhe Paris, përsëri vetëm për çështje të dialogut. Po ashtu çfarëdo kontakti tjetër përmbajtësor ndërkombëtar me Kurtin do të reduktohet ekskluzivisht në çështje që kanë të bëjnë më dialogun. Dhe, këtë duhet ta qartësojmë mirë, këto komunikime nuk do të jenë negociata. Kurti e di fort mirë çfarë pritet nga ai”, sqaron burimi i AP-së.

Disa nga masat ndëshkuese, sipas burimit, mund të jenë “Si bartës i procesit të dialogut, i takon Bashkimit Evropian të ndërmarrë hapat e parë. Prandaj, një nga hapat e parë do të jetë rishikimi i asistencës që vjen programet e para-anëtarësimit në BE, një masë tërësisht brenda akordit të Ohrit; Zvarritja e procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës; Rishikimi i një pjese të mirë të programeve të financuara nga Qeveria Amerikane; Rishikim i mbështetjes për Ushtrinë e Kosovës dhe forcat tjera të sigurisë, një vendim tjetër shumë i dhimbshëm; Rishikim i çfarëdo rruge apo instrumenti që Kosovën e afron me NATO-në”.

Ekskluzive: Sanksionet mund të fillojnë sot – “nëse s’ka reflektim, Kurti izolohet”

Kurti në një konferencë për media është pyetur edhe për iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Përkundër faktit që Kurti nuk e ka lexuar draftin e propozuar nga Rama, ka shprehur se ky i fundit duhet t’ia prezantojë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për shqiptarët në Luginë.

“S’kam dyshim që Rama beson se propozimi i tij është i mirë dhe duke qenë kështu atëherë, krejt çfarë unë propozoj, është që kryeministri Rama këtë draft-statut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë Presidentit të Serbisë në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

Ndër të tjera, ai ka thënë edhe se duke bazuar në kushtetutën e Shqipërisë, neni 8 pika 1, por edhe në kontekstin politik, vetëm po tregon ku është adresa dhe cila do të jetë kërkesa për këtë model.

“Unë nuk e di atë draft statut, por i besoj kryeministrit Rama që ai beson se është i mirë dhe i duhur. Jemi në kontakt të vazhdueshëm, pasi nëse kemi taksimin e dy qeverive ku na presin marrëveshje të reja”, theksoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore