Shqipëria

Hasani thotë se Shqipëria pret dritën jeshile nga BE për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka marrë pjesë në takimin jozyrtar ministror të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel, ku ka ritheksuar “angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për agjendën e integrimit në BE”.

“Rruga e reformave të vazhdueshme, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, të cilën Shqipëria e ka udhëhequr përmes një reforme gjithëpërfshirëse dhe transformuese në drejtësi, mbetet vendimtare për forcimin e vlerave demokratike dhe sigurimin e progresit ekonomik”, tha Hasani.

Ai shtoi se Shqipëria është e “angazhuar në reformat kundër korrupsionit, rritjen e transparencës, integritetin në administratën publike”.

Sa i takon planit të rritjes, Hasani ravijëzoi se mbeten të përkushtuar për ta zbatuar në kohë.

Ndërsa fliste për Reformën në Drejtësi, ministri u shpreh se ka sjellë transformim që ka shënuar kthesë vendimtare për vendin. Ai shtoi se vendi ynë është i angazhuar në reformat kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe integritetin në administratën publike.

“Shqipëria është e përkushtuar për ta zbatuar në kohë Planin e Rritjes dhe jemi gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare. Presim dritën jeshile nga Këshilli i BE. Është koha që fjalët e premtimet të kthehen në veprime konkrete”, tha ai ndërsa ka kërkuar përshpejtim të integrimit dhe hapjen negociatash për kapitujt.

Hasani theksoi se “presim me padurim zbatimin e shpejtë dhe në kohë të Planit të Rritjes, si pjesë e integrimit të përshpejtuar dhe jemi gati për të filluar negociatat për grupin themelor”.

Hasani theksoi se që këto reforma të bëhen të pakthyeshme, impakti i tyre të jetë i prekshëm për qytetarët, negociatat e anëtarësimit, të nisura në korrik 2022 me Shqipërinë, duhet të rifitojnë momentumin e humbur.

“Ajo që duhet të arrijmë sa më shpejt është mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare, që nis negociatat me grupkapitujt themelorë të sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike”, tha Hasani.

Hasani ritheksoi në takim se bashkëpunimi rajonal në reformat e sundimit të ligjit, është po aq thelbësor sa dhe përpjekjet tona në planin e brendshëm.

“Kërkova me ngulm që procesi të bëhet i prekshëm për qytetarët përfshirë edhe integrimin më të përshpejtuar me mekanizmat dhe programet e BE për sundimin e ligjit, për t’i mundësuar qytetarëve tanë Shqipërinë Evropiane dhe Ballkanin Perëndimor evropian përpara anëtarësimit në BE”, përfundoi deklaratën e tij ministri Hasani.

Çfarë përfaqëson Konferenca?

Ajo në çfarë ky format, i njohur shkurtimisht si IGC (Inter-Governal Conference), konsiston, është takimi dypalësh mes strukturave të posaçme të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së një vendi kandidat.

Takimet nga radhët e BE-së i drejton përfaqësuesi i vendit që ka Presidencën e unionit në periudhën e përcaktuar kohore kur takimet mbahen.

Në to, ka një qëllim kryesor dhe ai është paraqitja e artikujve dhe kapitujve ligjorë që duhen arritur nga vendi kandidat. Në tërësi, janë rreth 130 mijë faqe material, të grupuar në 35 kapituj.

Vendi anëtar duhet ta sjellë legjislacionin e vet në kushte identike me ato të vetë unionit.

Ky proces i përafrimit ligjor njihet edhe si “aquis” (diçka për të cilën është rënë dakord).

Për secilin kapitull, dy takime formale ndërqeveritare zhvillohen mes vendeve kandidate dhe strukturave të BE-së.

Me plotësimin e kushteve të një kapitulli të caktuar nga vendi që aspiron unionit, kalohet në kapitullin tjetër, e deri në përmbylljen e gjithë procesit.

Gjatë Konferencave Ndërqeveritare, qëllimi i BE-së është të pasqyrojë dhe shpjegojë kuadrin ligjor në të cilin unioni funksionon dhe më pas të japë direktiva për arritjen e këtyre kritereve nga kandidatët.

Një raport publikohet më pas nga Komisioni Evropian për çdo kapitull të diskutuar në konferencë.

Këshilli i Evropës më pas, është ai që vendos ta pranojë apo jo propozimin e ardhur nga raporti i Komisionit. Në bazë unanimiteti, vendoset edhe hapja ose jo e kapitujve nga një vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore