Kosova

Haradinaj paralajmëron protesta bashkë me veteranët e UÇK-së


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Rishikimi i listave të veteranëve dhe mos rritja e pagave, do ta nxjerrin Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në rrugë për të protestuar.

“Kurti nuk ka qenë në Zonën Operative të Dukagjinit për të konstatuar numrin e veteranëve”, ka theksuar Haradinaj në RTV Dukagjini.

“Kur është bërë zona e lirë, ne kemi pasur mbi 10 mijë ushtarë, njerëz me armë. Mos të ofendohen këta njerëz. [Albin] Kurti e ka pasur për zgjedhje këtë tezë me veteranët. Votat i ka marrë dhe mjaft më me ofendime”, vazhdoi Haradinaj.

Haradinaj thotë se 37 mijë veteranë kanë mbetur që marrin benificione dhe, sipas tij, ende mërgimtarët iu ndihmojnë atyre për të ndërruar protezat.

“Albin Kurti nuk mund të fshihet më. Nuk ka çare pa e rrit pagën minimale. Nuk ka çare pa i përfshirë edhe veteranët dhe kategoritë e lirisë në të njëjtat kritere. Unë po ja jap sot një paralajmërim [Albin] Kurtit: Po i ofendove veteranët, do më kesh me ta në rrugë. Dhe nuk të falim pasi je duke bërë shaka”.

“Unë do të jem i pari në rrugë”, ka theksuar Haradinaj, pa treguar më shumë rreth organizimit të këtyre protestave.

“I ka torturuar njerëzit nëpër gjykata për punën e veteranëve. Gjykata i ka shpallur të pafajshëm krerët e UÇK-së për listat e veteranëve, derisa ky ende po merret me ta”, përfundoi ai.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, e ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se i kanë futur në listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës personat që nuk kanë qenë në fushëbetejë.

“Veteranët” e rrejshëm, titullin e tyre nuk e kane marrë në fushëbeteja të luftës, por në zyrat e partive të PDK-së e AAK-së”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.

Ai e ka cilësuar PDK e AAK si “fabrika” prodhuese të dëmeve ndaj luftës.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një debati në RTK pati thënë se me shifrën prej 60 mijë veteranësh, “ne po e deformojmë historinë”.

“Nuk ka teori mbi 20 mijë veteranë të luftës. Mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë, pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta edhe mbi 60 mijë, po veteranë nuk mund ta jenë më shumë se 20 mijë”, kishte thënë kryeqeveritari.

Kurti pati theksuar se po planifikon që ekzekutivi të bëjë një hetim për numrin e madh të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa më 19 janar të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë pati shpallur të pafajshëm 12 të akuzuarit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Listës së personave të akuzuar i printe Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Megjithatë, Gjykata e Apelit ende nuk ka marr vendim lidhur me rastin në fjalë pasi Prokuroria Speciale e ka ankimuar vendimin e shkallës së parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore