Lajme

Gogiç: Kurti më mirë të shkonte në zgjedhje sesa të pranonte Asociacionin, do kthehej në pushtet më i fortë


Politologu serb nga veriu i Kosovës, Ognjen Gogiç, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më mirë të pranonte të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, sesa të pranonte themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kurti më mirë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare sesa të pranojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por, kjo nuk do të thotë se në këtë moment ai po mendon të shpërndajë Kuvendin dhe të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Gogic në një intervistë për Kosova Online.

Gogiç beson se nëse Kurti do të vendoste për zgjedhje, do të kthehej në pushtet edhe më i fortë se tani, teksa shton se “ende gëzon mbështetje të madhe nga votuesit në Kosovë dhe ndoshta do të përsëriste të njëjtin rezultat”.

“Duke vepruar kështu, siç bëri herën e kaluar, me siguri do të fitonte vota, sepse atëherë do të dukej sikur duhej të largohej nga posti i kryeministrit për shkak të presionit të Perëndimit për të bërë lëshime ndaj serbëve dhe Serbisë. Votuesit në Kosovë disi do ta shpërblenin atë”, shtoi ai.

Megjithatë, Gogiç potencon se Asociacioni nuk mund të formohet derisa të mbahen zgjedhje të reja në katër komunat në Veri, si për kryetarë ashtu edhe për Kuvend Komunal.

“Prishtina nuk do të jetë e gatshme në asnjë moment të ndërmarrë hapa drejt formimit të Asociacionit”, përfundoi Gogiç.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, pas takimeve me liderët evropianë dhe të Bashkimit Evropian në Bruksel më 26 tetor, deklaroi se ka pranuar propozimin për draft-statutin e Asociacionit dhe ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë, por kjo ishte kundërshtuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore