Lajme

Gogiç: Është politizuar shumë çështja Veriut, në çdo aksion të Policisë supozohet se ka një konotacion politik


Politologu serb nga Veriu i Kosovës, Ognjen Gogiç.

Politologu serb nga Veriu i Kosovës, Ognjen Gogiç, ka thënë se situata e paqëndrueshme në Veri të Kosovës “shihet në faktin se në çdo aksion policor kërkohen implikime politike”.

Këto komente, Gogiç i ka bërë në një prononcim për median opozitare serbe “Danas”, duke komentuar ngjarjen kur Policia e Kosovës, këtë të shtune, është detyruar të përdorë armët në Veri të Kosovës meqë një person i cili dyshohej se posedonte lëndë narkotike në veturë nuk është ndaluar pasi është sinjalizuar nga patrulla policore.

“Kjo çështje është politizuar në atë masë saqë gjithmonë supozohet se veprimet e policisë në Veri të Kosovës nuk kanë të bëjnë vetëm me detyrat e ruajtjes së sigurisë dhe luftimit të krimit, por që gjithmonë ka njëfarë konotacioni politik. Kështu ndodhi edhe me të shtënat e së shtunës në Mitrovicën e Veriut, në lidhje me të cilën pyesim veten nëse arrin ndonjë qëllim politik apo dërgon mesazh politik”, thotë ai.

Politologu serb nga Veriu thekson se vetëm dëshmitarët okularë mund të dëshmojnë për ngjarjen në Mitrovicë të Veriut.

“Policia mund të përdorë forcën kur nuk respektohen urdhrat e saj dhe veçanërisht kur rrezikohet siguria e punonjësve të policisë. Nga ana tjetër, është legjitime të pyesim nëse përdorimi i armëve automatike ishte i nevojshëm dhe i justifikuar”, shtoi ai.

Duhet të kihet parasysh, vlerëson ai, “se të shtënat kanë ndodhur në një zonë të banuar të qytetit, ndaj ka pasur rrezik edhe për qytetarët”.

“Vetë ngjarja, por edhe reagimet ndaj saj, tregojnë se sa shumë punë duhet për të përmirësuar komunikimin dhe për të forcuar besimin mes Policisë së Kosovës dhe serbëve në Veri të Kosovës”.

Ndryshe, Policia e Kosovës, këtë të shtunë, është detyruar të përdorë armët në Veri të Kosovës meqë një person i cili dyshohej se posedonte lëndë narkotike në veturë nuk është ndaluar pasi është sinjalizuar nga patrulla policore.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut,të shtunën rreth mesditës.

Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i dyshuar ka arritur të arratiset ndërsa ka goditur veturën e Policisë së Kosovës dhe një pjesëtar të saj.

“Pati të shtëna, askush nuk është arrestuar, policia ka konfiskuar veturën e të dyshuarit. Disa predha kanë përfunduar në fasadat e objekteve përreth”.

Sipas Elshanit, gjatë aksionit, është lënduar një zyrtar policor.

“Personi i dyshuar ka lënë veturën në vend të ngjarjes dhe ka ikur në këmbë. Kemi informacione për të dyshuarin”, ka potencuar Elshani.

Në veturë është gjetur lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë 1,5 deri në 2 kilogramë.
Njësitet policore, përfshirë zyrtarë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik kane dalë në vendin e ngjarjes.
Policia janë duke e trajtuar rastin dhe në koordinim me organet e drejtësisë do të ndermirën veprimet për të zbardhur këtë rast dhe arrestuar personin e dyshuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore