Shqipëria

GJKKO-ja merr kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Alqi Bllakos


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dorëzuar në GJKKO kërkesën për arrestimin e ish-deputetit socialist, Alqi Bllako.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar për Albanian Post dorëzimin e kërkesës.

Procedura kërkon që pas marrjes së vendimit, Policia e Shtetit të kryejë ekzekutimin e vendimit.

Përmes një letre të dërguar kreut të SPAK-ut Arben Kraja, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deklaronte se rruga ligjore është e hapur që Bllako të arrestohet nga organet kompetente.

Kjo, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Zyrtarisht nga 30 marsi Alqi Bllako nuk është më deputet i Parlamentit të Shqipërisë dhe, rrjedhimisht, nuk mund të gëzojë imunitet.

Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako

Alqi Bllako dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, dyshohet se kanë falsifikuar dokumentin për llojin e tokës ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit.

Ish-zyrtarët shqiptarë e kanë paraqitur sikur ndërtesa e inceneratorit do të bëhej në tokë truall.

SPAK ka provuar se ajo është ndërtuar në tokë arë, vlera e së cilës është më e lirë.

Ky falsifikim i ka sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 14 milionë e 964 mijë e 900 lekësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore