Lajme

Gjermani/ Partia e Gjelbër kryeson sondazhet


Gjashtë nga dhjetë sondazhe të publikuara në dy javët e fundit, u japin epërsinë të gjelbërve përpara Unionit Kristian Demokrat (CDU), të kancelares Angela Merkel.

Një frymë e re e gjelbër po merr jetë në politikën gjermane. Sipas sondazheve, Partia e Gjelbër Gjermane ka epërsinë vetëm pesë muaj përpara zgjedhjeve.

Kjo është hera e parë që prej qershorit 2019, që i gjen të gjelbrit përpara në sondazhe.

Në Gjermani, ndryshe nga vende të tjera të Evropës, ka pasur një qëndrueshmëri më të lartë politike. Partitë simotra të CDU-së në Francë apo Itali, kanë marrë goditje të rënda në votime. Ndërsa, në Gjermani, CDU-ja vazhdon të jetë forcë e parë në vend.

Por, pavarësisht kësaj, hegjemonia e CDU-së në Gjermani, mund të thyhet pas 16 viteve.

Mesatarisht, të gjelbrit shpallen fitues me 27% të votave. Ky rezultat do të lejonte kandidaten për kancelare, Annalena Baerbock, të krijonte një koalicion për qeverisje. Koalicion, i cili do të ishte i mundur edhe me CDU-në.

Kreu i ri i Kristian-Demokratëve ndërkaq, Armin Laschet, pretendon të vazhdojë frymën e kancelares në largim, Merkel.

Pikat kryesore, ku ky i fundit do të synojë, është mungesa e eksperiencës nga ana e Baerblock. 40-vjeçarja, prej tre vitesh është nën bashkëdrejtim të të gjelbërve, por nuk ka treguar aftësi të larta lidershipi.

Fushata e saj po përqendrohet kryesisht në reformimin e sistemit. Këtu, përfshihet edhe limitimi i mandatit të kancelarit në Gjermani.

Përtej sondazheve, një fitore e të gjelbërve nuk duket shumë e afërt. Kjo, edhe për pasojë të një vazhdimësie të qetë, të cilën gjermanët e kanë kërkuar përgjatë dekadave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore