Lajme

“Gazetaria e sotme me mundësi më të gjera të të shprehurit”


Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ish-gazetari i shtëpisë së mediave “Rilindja”, Shaip Grabovci, në një prononcim për Albanian Post ka theksuar se liria e shprehjes së gazetarëve tani është në nivel më të lartë se që ka qenë dikur.

“Gazetaria e sotme ka mundësi më të gjera për tu shprehur por edhe gazetari është më i lirë ta shprehë mendimin e tij personal”, ka thënë Grabovci.

Në krahasim me ditët e sotme ku zhvillohet gazetaria në Kosovë, para luftës në Kosovë ajo kishte sfida të tjera.

Sipas tij, në atë kohë gazetarët nuk janë lejuar të transmetojnë lirshëm lajmin për opinionin e gjerë.

“Gazetaria para luftës së Kosovës i ka pasur vështirësitë e veta pasi që e kanë pasur shpatën mbi kokë. Në qoftë se nuk është pëlqyer puna e tyre, ata janë dëbuar nga puna dhe janë burgosur”, ka treguar tutje Grabovci.

Prandaj sipas tij, në atë kohë mjeshtëria e gazetarit ka qenë “ta shkruash situatën por ta shkruash në atë mënyrë që të mos të kapë pushteti”.

Ndërsa tani, ashtu siç thotë Grabovci, gazetarët e rinj edhe pse përballen me peripeci të ndryshme, ata i kanë edhe përparësitë më të mëdha.

Sipas tij, edhe pse gazetaria e ndërron formën në bazë të rregullave, nevoja për informim është e pakufizuar.

“Dikur në botë kishte më pak gazeta pastaj kur u shpikë radio njerëzit kanë menduar se më nuk do të ketë interes për gazeta. Kurse kur u shpikë televizioni njerëzit kane menduar se do të shuhet radio mirëpo prapë gazeta e vazhdoi ekzistencën e saj”, ka thënë Grabovci.

Kurse tani “i kemi këto portalet të cilat po kanë shumë shikueshmëri specifikisht lexues, sepse dëshira për të ditur se çka po ndodhë e shpien edhe shkencën përpara”.

Tutje, ish gazetari i Rilindjes ka potencuar se liria e shtypit, liria e shprehjes nganjëherë edhe po keqpërdoret.

“Duhet ruajtur personaliteti, nëse sulmohet personaliteti atëherë ajo del nga domeni i gazetarisë, fati i mirë është që ka shumë më liri e fati i keq është se në shumë raste gazetaria po keqpërdoret”, shtoi tutje ai.

Në anën tjetër edhe themeluesi i Radio Televizionit Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se kushtet në të cilat punojnë sot gazetarët “janë më të favorshme se sa ato në të cilat gazetarët kanë punuar dikur”.

Ndërkohë, në rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka treguar se gjatë vitit 2020 në Kosovë janë raportuar katër raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe 17 raste të kërcënimeve.

Sipas AGK-së edhe sivjet është rritur numri i rasteve të raportuara për pengim në punë, ofendime, shantazhe dhe forma të tjera të presionit.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në procedurë të trajtimit janë gjashtë raste që kanë të bëjnë me dhunën ndaj gazetarëve.

Derisa në gjithë Kosovën që nga viti 2018 janë trajtuar ose janë në procedurë vetëm nëntë raste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore