Kosova

Për një vit 21 gazetarë janë sulmuar dhe kërcënuar në Kosovë


Gjatë vitit 2020 në Kosovë janë raportuar katër raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe 17 raste të kërcënimeve.

Këto të dhëna janë bërë publike nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Gentiana Begolli-Pustina, e cila është kryetare e Bordit të AGK-së, që nga korriku i 2018 shprehet e zhgënjyer me institucionet e zbatimit të ligjit.

“Ne e dimë sa zgjasin çështjet gjyqësore të kolegëve tanë, e dimë në fund se çfarë dënimesh marrin keqbërësit sulmues. Të gjitha zvarritjet e rasteve, dënimet shumë të vogla po i inkurajojnë sulmuesit që me një lehtësi të paparë, t’i sulmojnë gazetarët”, është shprehur ajo në konferencën për media.

Ndërkaq, gazetarja Leonora Dalipi, gjatë konferencës ka thënë se kjo ditë ka për qëllim reflektimin për gjendjen e lirisë së shtypit dhe etikën profesionale të vendit.

Sipas saj, edhe në këtë ditë AGK ua rikujton institucioneve detyrimin dhe respektimin e fjalës së lirë si dhe krijimin e një ambienti të sigurt e demokratik me liri të garantuar e të pacenueshme për të ushtruar profesionin e gazetarit.

“Ne vazhdojmë t’i përsërisim thirrjet tona drejt institucioneve relevante që t’i bashkojmë forcat në luftimin e dukurive që kanë për qëllim pengimin e punës së gazetarëve dhe demotivimin në përmbushjen e misionit që është informimi i drejtë për të gjitha zhvillimet në interes publik”, është shprehur ajo.

Këtë ditë, AGK e shënon me moton “Black out may”, që nënkupton se si do të duket një ditë pa media.

Aktivitetet e ditës së sotme të cilat përveç që kanë për qëllim avokimin për lirinë e mediave dhe për krijimin e një ambienti të lirë e të papenguar të ushtrimit të profesionit që gazetarët të kenë qasje të pakufizuar në informata dhe në dokumente zyrtare gjë që garantohet me ligj, kjo ditë po ashtu ka për qëllim edhe “përkujtimin e të gjithë gazetarët e vrarë dhe të pa gjetur gjatë dhe pas luftës në Kosovë, me kërkesën se e vërteta duhet ndriçuar”.

Sipas AGK-së edhe sivjet është rritur numri i rasteve të raportuara për pengim në punë, ofendime, shantazhe dhe forma të tjera të presionit.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në procedurë të trajtimit janë gjashtë raste që kanë të bëjnë me dhunën ndaj gazetarëve.

Derisa në gjithë Kosovën që nga viti 2018 janë trajtuar ose janë në procedurë vetëm nëntë raste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore