Sport

Freiburg-u largohet nga “Schwarzwald”-i, zhvendoset në stadiumin ekologjik


Skuadra gjermane e Freiburg-ut ka luajtur në Stadiumin “Schwarzwald” ndeshjen e fundit, të cilën e fitoi me rezultatin 3-0 përballë Augsburg-ut në fundjavën e kaluar.

Klubi ka njoftuar se tashmë do të luajë në stadiumin e ri “Europa-Park”. Ndeshja e parë në këtë stadium pritet të jetë më 16 tetor përballë Leipzig-ut.

Në Stadiumin “Schwarzwald”, ata luanin që nga viti 1955.

Stadiumi i vjetër i “Qytetit të Gjelbër” në Gjermani ka rreth 24 mijë vende. Stadiumi i ri ka 34 mijë e 700 vende, që besohet se janë të mjaftushme për një qytet me mbi 200 mijë banorë.

Freiburgu është qyteti më i gjelbëruar dhe me më shumë orë me diell në Gjermani. Ndaj dhe miqësia që ky qytet ka me mjedisin është treguar edhe te stadiumi i ri.

“Europa-Park” ndodhet në ultësirën e Pyllit të Zi. Në të janë vendosur panele diellore, të cilat do të prodhojnë 2.3 milionë kWh në vit.

Energjia e prodhuar do të akumulohet dhe ruhet në bateri, në mënyrë që të përdoret kur të jetë nevoja, qoftë për klubin ose për qytetin.

Gjithashtu është bërë e mundur që nga kjo energji të përfitojnë edhe banorët për t’i karikuar makinat elektrike, biçikleta elektronike, skuterat elektronikë dhe telefonat. Do të ketë disa stacione karikimi përreth stadiumit.

Stadiumi i vjetër “Schwarzwald” nuk do të shembet, por do të shërbejë përsëri për klubin. Aty do të zhvillojë ndeshjet ekipi i femrave të Freiburg-ut.

Pamje nga “Schwarzwald-Stadion”:

Pamje nga “Europa-Park”:

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore