Lajme

Forcat izraelite vijojnë sulmet në Bregun Perëndimor


Një adoleshent palestinez është vrarë nga zjarri gjatë konfrontimeve midis protestuesve dhe trupave izraelite në Bregun Perëndimor.

Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet palestineze.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze në një deklaratë për shtyp, tha se “Mohammad Said Hamayel, 15 vjeç, vdiq gjatë konfrontimit me forcat izraelite pranë Beita, në jug të Nablus, ku dhjetëra palestinezë protestuan kundër zgjerimit të një vendbanimi të paligjshëm hebraik”.

Gjithashtu, ministria palestineze e Shëndetësisë tha se gjashtë të tjerë kishin mbetur të plagosur nga të shtënat me armë.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, Wafa, raportoi se trupat izraelite qëlluan me, gaz lotësjellës dhe topa çeliku mbi demonstruesit.

Hamayel është fëmija i tetë palestinez që vritet nga forcat izraelite këtë vit dhe i treti në Beita, i cili ka qenë dëshmitar i protestave në muajt e fundit pasi izraelitë ndërtuan një postë në malin Sabih të fshatit.

Jetesa e të paktën 17 familjeve palestineze – më shumë se 100 njerëz – kërcënohet pasi varet nga korrja e ullinjve në tokën që ata kanë në pronësi për breza të tërë.

Në një protestë tjetër në fshatin Kufr Qaddoum, një foshnjë tetë muajshe pësoi helmim nga gazi lotsjellës pasi forcat izraelite synuan shtëpinë e familjes së Loay Samir. Një fëmijë tjetër 10-vjeçar u plagos në këmbë me një plumb çeliku të veshur me gome.

Fshatrat në Bregun Perëndimor shpesh mbajnë protesta kundër konfiskimit të tokës, prishjeve të shtëpive dhe vendbanimeve që konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Forcat izraelite zakonisht u përgjigjen protestave me dhunë.

Rreth 475 mijë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor të okupuar, shtëpia e më shumë se 2.8 milionë palestinezëve.

Të enjten, trupat izraelite qëlluan dhe vranë tre palestinezë, duke përfshirë dy oficerë të sigurisë, në një përleshje që shpërtheu në qytetin Jenin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore