Lajme

Flota amerikane hyn në detin e Kinës së jugut


Disa transportues avionësh amerikanë, të udhëhequr nga Flota e Shteteve të Bashkuara (USS)  “Theodore Roosevelt” kanë hyrë në detin e Kinës jugore.

“Qëllimi ynë është të promovojmë lirinë e deteve”, u shpreh njëri nga kapitenët e flotës amerikane.  E gjithë kjo vjen në një moment kur tensionet midis Kinës dhe Tajvanit, kanë ngritur shqetësime në Washington.

Komanda e SHBA-së tha në një deklaratë se grupi i sulmit hyri në detin e Kinës jugore të shtunën. Po atë ditë që Tajvani raportoi një inkursion të madh të bombarduesve dhe avionëve luftarak kinezë, në afërsi të ishujve Pratas.

Admirali Doug Verissimo, në një deklaratë tha se ndodheshin në detin e Kinës jugore për të kryer operacione rutinë dhe “për të siguruar lirinë e deteve, për të ndërtuar partneritete që nxisin sigurinë detare”.

“Me dy të tretat e tregtisë botërore që udhëtojnë nëpër këtë rajon shumë të rëndësishëm, është jetësore që ne të ruajmë praninë tonë dhe të vazhdojmë të promovojmë rendin e bazuar në rregulla që na ka lejuar të gjithëve të përparojmë”.

Njoftimi vjen vetëm disa ditë pasi Joe Biden u betua si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

I nominuari i Biden-it si sekretar i shtetit, Antony Blinken, gjatë seancës së tij të konfirmimit, iu drejtua Senatit se “pa dyshim” Kina paraqiste sfidën më të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara.

Kina e ka shprehur mospëlqimin në mënyrë të përsëritur për anijet e Marinës amerikane që po afrohen në ishujt e pushtuar nga kinezët në detin e Kinës jugore.

Shtete si Vietnami, Malajzia, Filipinet, Brunei dhe Tajvani, të gjithë, kanë pretendimet e tyre territoriale mbi këto ishuj./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore