Lajme

Florida/ Mbyllet – përfundimisht – kërkimi për trupa në ndërtesën e shembur


Nuk do të ketë më kërkime për trupa të humbur në ndërtesën 12-katëshe të shembur në Florida më 24 qershor 2021.

Zjarrfikësit kanë përmbyllur gërmimet dhe gjetjet, duke qartësuar se nuk mund të ketë më asnjë trup të pajetë në rrënojat e godinës. Bilanci përfundimtar, është i të paktën 97 personave të vdekur në ngjarje.

Vetëm një banor i pallatit nuk është identifikuar ende. Ndërsa, në jetë, pas shembjes, nuk është nxjerrë askush.

Lufta me 13 mijë tonë beton e çelik u zhvilluar për një muaj me radhë, duke përjashtuar ndërprerje të vogla. Rrënojat tashmë thuajse janë pastruar duke u çuar në vendodhjen përkatëse.

Zjarrfikësit kanë punuar në turne 12-orëshe për të bërë të pamundurën, mbi gjetjen e të mbijetuarve të mundshëm.

“Është shkatërruese. Një situatë shumë e vështirë për ne në përgjithësi”, tha pas përfundimit të kërkimeve Alan Cominsky, shef i njësive zjarrfikëse.

Shqetësimit se pse kërkimet vijuan kaq gjatë, autoritetet iu përgjigjën se kishte mbetur vetëm një person për t’u lokalizuar.

Estelle Hedaya-s, 54 vjeçe, nuk i është gjetur trupi ende. Të afërmit e saj janë të frikësuar se Estelle mund të harrohet. Mirëpo nga zjarrfikësit, është siguruar se nuk ka pasur asnjë shenjë të saj në gërmadhën e krijuar nga shembja e godinës.

Më 24 qershor, ndërtesa 40-vjeçare në Florida u shemb pjesërisht, në më shumë se gjysmën e saj.

Sipas disa inspektimeve të kryera në vitin 2018, tragjedia ishte e paralajmëruar nga disa raporte, të cilat kishin pikasur një gabim në sistemin e kullimit të ujit.

E quajtur Champlain Towers, godina ishte në prag restaurimi. Një plan shumë milionë dollarësh ishte menduar të vihej në zbatim. Por, ky plan mori fund, natën e 24 qershorit, kur themelet e një pjese të saj lëshuan pe, duke e bërë të shembet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore